I dënuari në kampin e Guantanamo-s detajon torturat e CIA-s në gjykatë (fotot)

01/11/2021 21:38

Majid Khan detajoi në seancën gjyqësore sesi mbytej me ujë, si sulmohej fizikisht e seksualisht në impjantet sekrete të CIA-s.

Një i dënuar i mbajtur në kampin e Gjirit të Guantanamo ne jug tw Kubes, ka detajuar për herë të parë në një gjykatë amerikane sesi torturohej në një impjant klandestin të CIA-s, gjatë fushatës së dy dekadave të “luftës kundër terrorit” nga SHBA.

Majid Khan, ish-rezident në Baltimore, SHBA tregonte sesi dhunohej seksualisht e fizikisht, si mbytej në ujë apo forma të tjera torture në impjantet sekrete që CIA përdorte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Dëshmia e Khan erdhi në një gjyq për krime lufte në bazën amerikane në Kubë, ku përshkruhen abuzimet me të ashtuquajturat “teknika të përforcara të marrjes në pyetje”, sipas rrjetit New York Times.

Khan kishte pranuar më parë akuzat për rolin e tij si korrier dhe planifikues i al-Kaeda.

“Mendoja se do të vdisja”, thotë Khan gjatë dëshmisë, duke detajuar teknika të ndryshme torturash si varje nga tavani i zhveshur për periudha të gjata, apo lagie të vazhdueshme me ujë të akullt për të qëndruar zgjuar me ditë të tëra.

Khan thotë se teksa kaloi gati tre vjet në impjante të tilla të CIA, ai rrihej, përdhunohej e lihej pa ngrënë. Ai u transferua më pas në një qendër ushtarake burgosjeje  në Kubë në shtator 2006.

“Unë i lutesha të ndalonin dhe betohesha se nuk dija asgjë. Sikur të kisha informacione do t’i kisha dhënë por nuk kisha ç’t’i jepja më”.

Megjithse disa nga abuzimet e përshkruara nga Khan ishin përmendur dhe në një raport inteligjence të senatit amerikan në 2014, një tregim i tillë personal është i pari që kryhet nga një i burgosur.

“Sa më shumë bashkëpunoja dhe i tregoja të dhënat e mia, aq më shumë më torturonin”, tha Khan në gjykatë, në përshtatje me konkluzione të raportit të mëparshëm që thonin se trajtime të tilla ishin jo vetëm çnjerëzore por dhe të paefektshme.

Avokatë të të drejtave të njeriut kanë kërkuar vënie para përgjegjësisë të abuzuesve në impjante sekrete të inteligjencës. Raportuesi i OKB për torturën Nils Melzer, ka thënë në 2017 se veprimet ishin “në shkelje të qartë të konventës kundër torturës, dhe se dërgojnë mesazhin e rrezikshëm të pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve në SHBA dhe në botë.

Khan ka pranuar në 2012 akuzat për konspiracion, vrasje dhe zotërim materiali në mbështetje të terrorizmit.

Dënimi për të do të ishte mes 25 e 40 vjet burgim por Khan do të kryejë shumë më pak prej bashkëpunimit me autoritetet e SHBA, duke përfshirë dhe çështjen ndaj pesë të burgosurve që mbahen në Guantanamo që akuzohen për ndihmë logjistike në sulmet e 11 shtatorit në SHBA.

Sipas marrëveshjes dënimi për Khan do të reduktohet në 11 vjet duke llogaritur kohën e burgimit prej shkurtit 2012.

I lindur në Arabinë Saudite, Khan erdhi në SHBA me familjen në fillim të viteve 1990-të. Ai shkoi në shkollë në Baltimore dhe më pas nisi punë në sektorin e teknologjisë në Uashington.

Ai u bë ndjekës i al-Kaeda pas vdekjes së nënës së tij, të cilën e përshkruan si personi më i rëndësishëm në jetë.

Khan ka pranuar dhënien e $50,000 fonde për al-Kaeda për atentatin në hotelin Marriott në kryeqytetin e Indonezisë, Jakarta, në 2003. Ai tha se asokohe nuk e dinte perse do te perdoreshin parate.

SHBA mban ende 39 të burgosur terrorizmi në bazën detare të Guantanamo. Khan ishte i pari nga të dënuarit “me vlerë të lartë” që kaloi sesionet e marrjes në pyetje nga CIA,  që merr akuza të sakta dhe dënohet.

FOTO GALERI
1/4
Një i dënuar i mbajtur në kampin e Gjirit të Guantanamo ne jug tw Kubes, ka detajuar për herë të parë sesi torturohej në një impjant klandestin të CIA-s

Top Channel