Burri mbetet i shokuar kur gjen shtëpinë ‘të vjedhur’ në Britani (fotot)

01/11/2021 17:54

Një burrë ka përshkruar së fundmi shokimin e tij kur u kthye në shtëpi dhe e gjeti të zhveshur nga të gjitha objektet e brendshme pasi ishte shitur pa dijeninë e tij.

Pasi ishte njoftuar nga fqinjët e tij, prifti britanik Reverend Mike Hall shkoi në shtëpinë e tij në Luton në veri të Londrës, ku gjeti punimet e rinovimit të nisura dhe një pronar të ri që kishte blerë shtëpinë.

Një investigim i rrjetit BBC zbuloi se zotit Hall i ishte vjedhur indetiteti, i cili ishte përdorur për të shitur shtëpinë dhe për të arkëtuar paratë në bankë.

Fillimisht policia i tha atij se nuk kishin të bënin me mashtrim, por hetimet vazhdojnë.

Hall kishte qenë prej disa kohësh duke punuar në Uells, kur mori një telefonatë nga fqinjët e tij më 20 gusht, kur e njoftuan se dikush ishte në shtëpi dhe ishin ndezur dritat.

Mëngjesin e ardhshëm ai erdhi aty.

“U afrova te dera kryesore, provova çelësin tim por nuk e hapte. Një burrë e hapi atë nga brenda”, tha ai për  BBC Radio 4.

“Unë e shtyva atë anash dhe hyra brenda. Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte aty. Shtëpia ishte zhveshur nga gjithçka që kishte brenda, mobiljet, qilimat, perdet, çdo gjë.”

Një burrë po bënte punime rinovimi, të cilit Hall i tha: “Unë nuk e kam shitur shtëpinë, kjo është shtëpia ime”.

Hall telefonoi policinë por ndërtuesi u kthye me babanë e blerësit të shtëpisë, i cili tha se kishte blerë pronën në korrik: “Kjo është shtëpia ime tani. Dil jashtë”.

Hall kishte shkuar më tej në zyrat e regjistrimit të pronave dhe zbuloi se shtëpia ishte në fakt  regjistruar në emër të blerësit.

Ai ishte përpjekur të kontaktonte policinë por mori të njëjtën përgjigje.

Ende nuk është bërë asnjë arrestim nga autoritetet por programi televiziv zbuloi se patenta e makës së Hall ishte përdorur  për të vjedhur identitetin e tij për hapjen e një llogarie bankare dhe përfitimin e fondeve të shitjes.

Shtëpia i ishte shitur pronarit të ri për 131,000 paundë, nga personi që hiqej si Hall.

Noterët e përfshirë në transaksion thanë se një hetim i policisë është në vijim prandaj nuk mund të komentonin më tej.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me policinë sipas detyrimeve tona ligjore”, thanë noterët.

Ndërkohë zyra e regjistrit të pronave në Britani ka paguar vitin që shkoi një total prej 3.5 milionë paundë në kompensime për procedura të gabuara.

“Megjithë përpjekjet tona më të mira, regjistrojmë rregullisht një numër të vogël transaksionesh pre e mashtrimeve”, thanë ata.

FOTO GALERI
1/4
Prifti britanik Reverend Mike Hall shkoi në shtëpinë e tij në Luton në veri të Londrës, ku gjeti punimet e rinovimit të nisura dhe një pronar të ri që kishte blerë shtëpinë.

Top Channel