Turistët mrekullohen nga ‘qyteza e qejfit’ e Romës së lashtë, tashmë e fundosur në Tiren (fotot)

30/10/2021 21:40

Statujat dhe rrënojat romake të një rezorti 2,000-vjeçar luksi e zbavitjejesh të shthurrura, janë tashmë një atraksion turistik nënujor.

Teksa peshq të vegjël notojnë vetëtimthi rreth tij, Enrico Gallochio shtyn me dorë rërën e fundit të detit, për të zbuluar mozaikë e rrënoja ornamentale në atë që më parë ishin dyshemetë e zbavitjes së fisnikëve të Romës.

Baiae ishte rezorti i lashtë në gjirin Pozzuoli, pranë Napolit, tashmë i përfshirë nga ujërat e detit Tiren.

Këtu, katër metra nën sipërfaqen e ujit, Gallochio zbulon të tjerë mozaikë ornamentalë që më parë ishin muret e dhomave dhe banjave të luksit.

Vendi daton prej shekullit të tretë dhe shumica e tij njihet mirë nga publiku pasi Baiae, është tashmë një park arkeologjik nënujor.

Interesi turistëve po e nxjerr atë më në fund nga errrësira dhe kërkuesit vazhdojnë punën për zbulimin e të tjera pjesëve të pazbuluara.

“Ishte e pabesueshme,” thotë arkeologu Gallochio, i cili menaxhon parkun nënujor. “Vetëm në këtë zonë kemi zbuluar 20 dhoma. Ka ende shumë për të zbuluar ose saktësuar, por kjo do të kërkojë kohë.”

Kollone mermeri ne Baia

Vendasit nisën të zbulonin këtu relika romake që prej shekullit të 19-të, ndërsa në vitet 1920 në Pozzuoli u zbuluan skulptura të çmuara mermeri, gjatë operacioneve nënujore të gërrmimit që ngjallën kuriozitetin e liderit fashist Benito Mussolini. Ai sugjeroi tharjen e zonës për të parë se çfarë thesaresh do të dalin në sipërfaqe.

Por zbulimi i vërtetë erdhi në vitet 1940-të, kur piloti italian Raimondo Baucher, pa nga ajri atë që dukej si një “qytet fantazmë” duke fluturuar mbi atë që dikur ishte porti Portus Julius. Baucher ishte gjithashtu zhytës amator dhe identifikoi me saktësi qartësinë e mureve dhe kollonave të mermerit, barrierat detare dhe trotuaret e vendit.

“Uji ishte rreth 1 metër e gjysmë dhe atë ditë deti i ishte shumë i qartë, kështu që ai arriti të shikonte poshtë,” thotë Gallochio. “Fotot e tij i mësuan botës diçka që deri në atë moment ishte e panjohur. Vetëm vendasit e dinin që këtu kishte diçka por dhe ata nuk e dinin çfarë ishte”.

Prej atëherë arkeologët kanë gjetur dhjetra antika, madje kohët e fundit gjetën një kollonë gjigante mermeri. Gallochio e përshkruan Baiae si ‘Monte Carlo’ i Romës së lashtë, vendi ku të pasurit e të fuqishmit shkonin për të shijuar klimën e butë, verën e dashur, midhjet dhe kënaqësi të tjera që ata i dinin më mirë.

Mozaike te vilave te fundosura ne Baia

Perëndorë si Augustus, Nero e Caligula kishin shtëpitë e tyre në Baiae, dhe disa nga rrënojat e vilës së Julius Caesar tashmë shfaqen në muezumin arkeologjik të Campi Flegrei në kështjellën e Baia aty pranë.

Baiae është ndërtuar në faqet e malit vullkanik të Campi Flegrei, i njohur për burimet e tij termale. “Ka qenë qytet llixhash, njerëzit besonin se çdo sëmundje mund të kurohej këtu,” tregon Gallochio. “Perandori Hadrian vdiq në Baiae; me shumë gjasa ai erdhi këtu në fazat e fundit të jetës duke kërkuar kurën finale”.

Por në kohëra më të vonshme historianët e përshkruanin Baiae si qytetin e vesit e të shthurjes, ku të pasurit festonin për ditë me radhë, dhe shfaqnin në mënyrë të paturpshme pasurinë e tyre. Gjithashtu këtu senatori romak Gaius Calpurnius Piso komplotoi vrasjen e perandorit Nero.

“Ka gjurmë se këto dhoma luksoze prisnin festa të vazhdueshme. Ju mund ta imagjinoni, ky ishte vendi i vetë-kënaqësisë, këtu fisnikëria romake çmendej”.

Por në shekullin e katërt festa u prish pasi qyteza nisi të zhytej më thellë në ujë. Në fund të shekullit të katërt pjesa më e madhe e qytetit ishte fundosur si rezultat i aktivitetit sizmik të vullkanit që sillte ulje e ngritje të shpeshta të tokës.

Fenomeni preku të gjithë zonën e gjirit dhe Pozzuoli përfundoi diku rreth katër apo gjashtë metra nën ujë.

Puna e vërtetë e gërmimeve nisi në 1959 me perfeksionimin e mjeteve të zhytjes, kur dhe u krijuan hartat e para arkeologjike të qytezës me rrugët e ndërtesat e saj të shkatërruara nga uji.

Gallochio thotë se do të duhen vite që arkeologët të kërkojnë të gjithë zonën por thotë se është i sigurt për të tjera zbulime.

“Është gjithmonë emocionuese të gjesh diçka, edhe sikur një copë të vogël mermeri”, thotë ai./ , TheGuardian/ Përgatiti; Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/8
Qyteza e Baia ka humbur siperfaqe toke nga deti

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA