Dita e stome nisi mes frikës dhe panikut për banorët në Bulqizë, për shkak të lëkundjeve të forta të tërmetit me magnitudë 4.7.
Një banore ka treguar panikun që ka përjetuar dhe u shpreh se së bashku me anëtarët e tjerë të familjes kanë dalë menjëherë jashtë shtëpisë, të alarmuar nga goditjet e njëpasnjëshme.
E moshuara, e cila thotë se ka të sëmurë njërën këmbë, tregon momentin kur nusja e shtëpisë e ka ndihmuar për të dalë jashtë. Më tej, ajo tregon se fëmija e shtëpisë nga frika ka hipur mbi dritare e ka tentuar të hidhet poshtë, por fatmirësisht është ndaluar nga nëna e tij.
“E përjetuam shumë keq. Erdhi nusja se e dëgjoi tërmetin, unë nuk mund të ngrihesha se isha me këmbë të thyer, erdhi nusja dhe më ngriti. Fëmija kishte ik e kishte hipur në penxhere e do të hidhej prej penxhereje. E kapi nusja e nxori përjashta. S’kishim çfarë të bënim dolëm jashtë, se frikë është se luajti vendi, u tund.”, u shpreh banorja.
Zonja tha se shtëpia e saj është tanimë e pabanueshme si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti.
“Shtëpia është dëmtuar shumë. Është e pabanueshme, se nuk flas kot. Të më mbrojë fëmijët, të shpëtojnë fëmijët, se unë jam e vdekur jam e vjetër. Fëmijët me rrojne me frike, hyjne me frike brenda”, tha e moshuara.
Ndërkohë, grupet e verifikimit te njësive Shupenzë, Zerqan, Gjorice, Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Fushe Bulqize po vijojnë punën ne terren për te parë më nga afër situatën.
Lëkundjet me magnitudë 4.7 u ndjenë 56 km në verilindje të qytetit të Tiranës, si dhe 16 km në perëndim dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Thellësia e lëkundjeve ishte vetëm 10 km, sipas raportimeve të “EMSC”.
Top Channel