“Nuk ju ka kërkuar njeri të bëni politikë”, Rama “i prerë” për guroret: Të harrojnë që do përdorin punonjësit si mish për top për të bërë protesta

29/10/2021 13:21

Në takimin me kryebashkiakët për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve, Rama u ndal edhe tek çështja e guroreve duke thënë se nuk është “sociale” të shkatërrosh malin, por krim ndaj fëmijëve dhe nuk mbjellin asnjë pemë sipas marrëveshjes.

Kryeministri e theksoi se askush nuk i ka kërkuar të bëjnë politikë dhe të qëndrojnë larg guroreve. Rama ishte i qartë se të gjithë shfrytëzuesit që kanë shkatërruar malin do të dalin para përgjegjësisë ndërsa nuk do të lejohet askush që të përdorë punonjësit për protesta. Ndër të tjera i la afat deri më 31 dhjetor ndërsa të gjithë do të thërriten dhe kush nuk është i gatshëm, do të dalë para ligjit.

Rama: Askush nuk ju ka kërkuar asnjëherë juve që të bëni “politikë sociale” se i vini emrin sociale çdo lloj mosveprimi. Sic dëgjova që disa prej jush kishin çështje sociale me guroret që Ministria e Mjedisit ka vendosur t’i vendosë para përgjegjësisë për mos pyllëzimin sipas kontratave, ju e shikoni nga ana sociale. Edhe këtë anën sociale këtu që me idenë komplet të gabuar se po humbisni vota, i lini paratë e popullit të rrjedhin rrugëve në formën e ujit që nuk paguhet, që vidhet, këto nuk janë sociale fare, Nuk është sociale të flasësh në emër të një grupi punonjësish në një gurore që shkatërron malin komplet dhe nuk mbjell siç e ka në marrëveshje. Kjo është anti sociale dhe është krim kundër fëmijëve. Këto as nuk kanë sjellë dhe as nuk sjellin vota, sjellin vetëm dëme prandaj bashkarisht duhet të kundërveprojmë për të vendosur një digë që si fillim humbjet të mos thellohen. Kjo rutina që këto para do humben dhe e gjithë kjo sforco e bërë nga taksapaguesit që i japin buxhetit dhe sigurojnë partnerët të përfshihen do nëpërkëmbët.

Edhe një të tretë kemi së shpejti për guroret, nëse do të bëjmë përmirësime në këto drejtime do ti bëjmë një shërbim të madh komitetit. Gurorëve ju dilni për zot kur ju thuhet se do mbyllen, por çuditërisht nuk ka asnjë letër nga ana e bashkive në ministrinë e mjedisit ku të thuhet se kjo kompani që shfrytëzon kjo gurore nuk ka mbjellë asnjë pemë, që ka marrëveshje. Nuk ka asnjë ngritje shqetësimi, sa i përket guroreve do ju lutesha ti qëndroni larg kësaj pune! Këtë që do jemi herës tjetër e kisha për donatorët, shumë shpejt do jenë kompanitë që do shfrytëzojnë malet.

Ju si bashki duhet ti qëndroni shumë larg kësaj pune, ato ndërhyrjet sociale mbajnë erë të keqe dhe shfrytëzuesit e guroreve duhet ta kuptojnë që ose do vijnë tani dhe do nënshkruajnë marrëveshjet dhe do të pranojnë kalendarin ose të gjitha do mbyllen. Të harrojnë që do përdorin punonjësit që punojnë në ato gurore si mish për top për të bërë protesta. Duhet të marrin përsipër të pyllëzojnë sipas kontratës dhe pastaj mund të vazhdojnë punën. Kanë afat deri në 31 dhjetor, do ti thërrasim dhe do i tregojmë një për një ku kanë problemet me ligjin dhe ku i kanë shkelur në kallo shoqërisë. S’kemi një aryse për tu bërë pengesë. Kush nuk është i gatshëm do shkojë para ligjit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA