Moska mbyll shumicën e vendeve të punës, rriten infektimet dhe vdekjet nga COVID

29/10/2021 11:50

Moska ka filluar të enjten masat bllokuese me synimin për të ndaluar infeksionet me koronavirus, pasi rastet e reja dhe vdekjet nga Covid-19 kanë kapur shifrat më të larta që nga fillimi i infeksioneve në vend.

Task-Forca qeveritare e koronavirusit raportoi 1.159 viktima në 24 orët e fundit, shifra më e madhe e regjistruar që nga fillimi i pandemisë. Numri i përgjithshëm i viktimave në vend për shkak të pandemisë, deri më tani është më i larti në Evropë, duke kapur shifrën 235.057 persona.

Për të ngadalësuar përhapjen e virusit, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një periudhë pushimi, duke filluar nga nesër (30 tetor) dhe deri më datë 7 nëntor, ku shumica e organizatave shtetërore dhe bizneset private do të pezullojnë punën.

Kryeqyteti rus vendosi të enjten të mbyllë kopshtet e fëmijëve, shkollat, palestrat, shumicën e dyqaneve dhe vendet e argëtimit. Janë lejuar vetëm restorantet dhe kafenetë të ofrojnë shërbimin e shpërndarjes, kurse dyqanet ushqimore dhe farmacitë mbeten të hapura.

Putin ka udhëzuar zyrtarët lokalë që të mbyllin klubet e natës dhe vendet e tjera argëtuese, si dhe ka urdhëruar personat e pavaksinuar mbi 60 vjeç të qëndrojnë në shtëpi.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Rusi shkoi të enjten në 40,096 persona, duke thyer kështu rekordin e arritur në fillim të kësaj jave. Qeveria shpreson se pezullimi i punës, duke mbajtur njerëzit jashtë zyrave dhe transportit publik, mund të ndihmojë në ngadalsimin e përhapjes së koronavirusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA