Qindra breshka deti dalin të vdekura në brigjet e Meksikës në Paqësor (fotot)

28/10/2021 18:07
Breshka e ullinjte e detit, Lepidochelys olivacea

Të paktën 300 breshka deti kanë dalë të vdekura në brigjet meksikane të Paqësorit.

Analizat paraprake sugjerojnë se breshkat ngjyrë ulliri  (Lepidochelys olivacea) ishin mbytur nga uji, tha një zyrtar i ministrisë së mjedisit të Meksikës.

Zyrtari tha se ka gjasa që breshkat e detit të kishin ngecur në rrjetat e peshkatarëve ilegalë në det të hapur ose në rrjeta të tjera të braktisura që njihen në vend si “rrjeta fantazmë”.

Breshkat ngjyrë ulliri listohen si të rrezikuara nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës.

Autoritetet thonë se popullata e tyre është duke u reduktuar, dhe ato listohen so të rrezikuara pasi lëshojnë vezët vetëm në një numër të kufizuar vendesh.

Breshkat u gjetën në plazhin Morro Ayuta në Oaxaca, në brigjet perëndimore të Meksikës. Ky plazh është një nga vendet ku këto breshka bëjnë foletë për vezët e tyre.

Eksperti vendas Ernesto Albavera Padilla tha se të gjitha kafshët e vdekura ishin femra.

Kjo nuk është hera e parë që breshkat e ullinjta gjenden të vdekura në Oaxaca. Në vitin 2018 peshkatarët gjetën në zonë 300 prej tyre të vdekura, të ngecura në rrjetat e peshkimit.

Meksika ka ndaluar kapjen e breshkave të detit prej vitit 1990 dhe cakton penalizime të rënda për këdo që vret breshkat e detit.

FOTO GALERI
1/3
Analizat paraprake sugjerojnë se breshkat ngjyrë ulliri (Lepidochelys olivacea) ishin mbytur nga uji, tha një zyrtar i ministrisë

Top Channel