Shkon në 500 numri i të helmuarve/ Nëndrejtori i Spitalit të Krujës: Ka rënë fluksi i qytetarëve, sot janë paraqitur 17 persona

27/10/2021 12:30

Hetimet për të zbuluar shkakun e helmimit të qindra banorëve të Krujës, kanë treguar se për shkak të reshjeve të shiut ditën e shtunë dhe të dielë, është kontaminuar uji i pijshëm. Analizat tregojnë se në ujë ka sasi të larta amoniaku.

Ndërkohë Top Channel mësoi se pranë depos se ujit ndodhet një stallë bagëtish dhe ujerat fekale të tyre mund të jenë bashkuar me ujësjellësin.

Edhe ditën e sotme janë paraqitur qytetarë me shenja helmimi, ndërsa që prej ditës së shtunë dhe deri më tani spitali i Krujës ka pritur rreth 500 qytetarë.

Nëndrejtori i Spitalit të Krujës u shpreh për Top Channel se ka pasur një rënie të fluksit të pacientë, ndërsa ditën e sotme janë paraqitur 17 raste. Fatmirësisht, pacientë në gjendje të rëndë nuk janë trajtuar.

“Ditën e sotme kemi një rënie të fluksit të qytetarëve, sot janë paraqitur 17 raste, 7 raste pediatrike. Në gjendje të rënda nuk kemi, janë trajtuar dhe janë larguar me mjekim. Shenjat kanë qenë bark të vjella dhe temperatura 37.2-37.4. Momentalisht kemi 3 raste që po trajtohen dhe do largohen, janë tre të rritur”, tha drejtori i urgjencës.

Ndërkaq, Prokuroria e Krujës ka nisur hetimet për helmimin e 500 banorëve, të cilët kanë marrë mjekim në spital. Organi i akuzës njofton se hetimet kanë nisur për veprën “Ndojtja e ajrit, ujërave dhe tokës” me pasojë dëmtimin e personave.

Top Channel