Prokuroria e Krujës ka nisur hetimet për helmimin e 500 banorëve, të cilët kanë marrë mjekim në spital. Organi i akuzës njofton se hetimet kanë nisur për veprën “Ndojtja e ajrit, ujërave dhe tokës” me pasojë dëmtimin e personave.

Prokurorët kanë urdhëruar nisjen e kryerjes së ekspertizave tek banorët e helmuar për të përcaktuar shkakun.

Gjithashtu, po kryhen hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës. 500 personat dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në Krujë, mes të cilëve edhe fëmijë.

Pjesa më e madhe e qytetarëve kanë marrë mjekim dhe janë larguar, ndërsa ata që kanë shfaqur më shumë komplikime po vijojnë mjekimin në spital.

Nëndrejtori i këtij spitali tha për Top Channel se ka pasur një rënie të fluksit të pacientëve, ndërsa ditën e sotme janë paraqitur vetëm 17 raste. Sipas tij, fatmirësisht, pacientë në gjendje të rëndë nuk janë trajtuar.

Ditën e sotme kemi një rënie të fluksit të qytetarëve, sot janë paraqitur 17 raste, 7 raste pediatrike. Në gjendje të rënda nuk kemi, janë trajtuar dhe janë larguar me mjekim. Shenjat kanë qenë bark të vjella dhe temperatura 37.2-37.4. Momentalisht kemi 3 raste që po trajtohen dhe do largohen, janë tre të rritur”, tha drejtori i Urgjencës.

Dyshimet e helmimit

Sipas Ujësjellës Kanalizime Krujë dyshohet se uji është kontaminuar pas reshjeve e dendura të shiut në fundjavë, ku rezulton një prani e amoniakut mbi norma sipas të dhënave paraprake të analizave fiziko-kimike të ujit të pijshëm.

Por për një rezultat përfundimtar do të priten analizat e detajuara mikro – biologjike nga ISHP të cilat siç mësoi Top Channel vonojnë dhe dy ditë të tjera.

Dyshime të forta ka në lidhje me intoksikimin e ujit pasi shumë pranë depos së ujit ndodhet një stallë bagëtish fekalet e të cilëve mund të kenë deportuar në brendësi të depos.

Qytetarët e Krujës vijojnë të shfaqin problem shëndetësor si gastroeneterite, të vjella e diarre. Përveç ujit është duke u hetuar edhe për disa mostra ushqimesh.

Reagimet për helmimin e banorëve

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, ka bërë me dije se për banorët do të shpërndahet ujë falas pas kësaj situate.

Të gjithë banorët do marrin ujë të pijshëm. Do shpërndahet me autobot dhe koli”, deklaron ai.

Ministrja e Shëndetësisë tha se po analizohen mostrat e ujit të pijshëm dhe ushqimeve.

Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar. Rezultati i analizave ka një afat të përcaktuar, nga 24 në 72 orë”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Për këtë ngjarje ka reaguar presidenti i vendit Ilir Meta, i cili kërkon hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse. Ai tha se është i shqetësuar nga kjo “situatë alarmante”.

I nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”, tha presidenti.

 

Njoftimi i Prokurorisë Krujë

Top Channel