Mbyllet mbledhja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet, Alibeaj cakton datën e seancës së radhës

27/10/2021 14:22

Mbledhja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit ka përfunduar. Kreu i Komisionit, Enkelejd Alibeaj ka bërë me dije se mbledhja e radhës do të bëhet më 29 tetor në orën 10:00.

Alibeaj: Do të mblidhemi sërish në 29 tetor në orën 10:00. Do të diskutojmë 4 pika. Pika e parë njoftimi i komsionit për marrje të dhënash.Pika e dytë do të jetë vazhdimi i shqyrtimit të miratimit të rregullores së komisionit hetimor. Pika e tretë do të jetë zgjedhja e sekretarit të komisionit hetimor. Ndërsa pika e katërt do të jetë caktimi i datës së mbledhjes pasardhëse.

Mbledhja e ditës së sotme është shoqëruar me debate të ashpra. Deputetët e mazhorancës hynë dhe dolën dy herë nga mbledhja, kurse PD ndërsa vijonte e vetme, socialistët dhe administrata e Kuvendit i kërkonte ndërprerje të mbledhjes, pasi nuk kishin kuorum. Më pas nuk mbeti asgjë tjetër, veçse Kuvendi të ndërpriste sinjalin e transmetimit për mediat, pavarësisht paralajmërimeve të Alibeajt.

Kreu i Komisionit Hetimor theksoi se nëse administrata do ta ndërpriste, si rezultat i ndonjë urdhri që kishte marrë, tha se do ushtrojë të gjitha të drejtat si deputet dhe kryetar i komisionit për gjithëkënd, madje se do shkojë deri në kallëzim penal.

“I them administratës se mbledhja ka filluar është çelur me kuorumin sipas rregullores e deklaron kryetari. Ju keni detyrimin e transmetimit direkt të saj deri kur kryetari të deklarojë fundin e saj. Nëse do merrni urdhra të paligjshme, apo do ndërprisni sinjalin, do jem i detyruar të ushtroj të gjitha të drejtat e mia si deputet dhe kryetar i komisionit për gjithëkënd nga ju deri në kallëzim penal. Ky është një paralajmërim që e bëj, mos u bëni pengesë as ju dhe as administrata”, tha Alibeaj.

Por ky paralajmërim i Alibeajt duket se nuk u mor seriozisht nga administrata e Kuvendit, e cila bëri të mundur ndërprerjen e transmetimit direkt. Por PD nuk u largua nga mbledhja dhe vijoi ndërsa regjistronin live në Facebook për të treguar se çfarë po ndodhte.

Top Channel