Helmimi i qytetarëve dhe ndërprerja e ujit, detyron DSHP të furnizojë me ujë të ambalazhuar Urgjencën e Krujës

27/10/2021 12:01

Drejtoria e Shëndetit Publik këtë të mërkurë ka dërguar ujë të ambalazhuar pranë Urgjencës së Krujës, pasi furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë që prej mesditës së të hënës për shkak të helmimit të qytetarëve.

Ujësjellësi i Bashkisë së Krujës ka reaguar lidhur me situatën e helmimit të qindra qytetarëve. Në një njoftim për mediat, UKK bën me dije se janë kryer të gjitha analizat e ujit në burim, të ujit në depo dhe në pikat fundore të shpërndarjes.

Më tej, shtohet se nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së diel, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

Për këtë ngjarje reagoi edhe prefekti i Durrësit, Roland Nasto, i cili bëri me dije se për banorët do të shpërndahet ujë falas pas kësaj situate.

Të gjithë banorët do marrin ujë të pijshëm. Do shpërndahet me autobot dhe koli”, deklaroi ai.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh dje se të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në gatishmëri dhe po kryejnë hetimet në të gjitha pistat e mundshme.

Brenda 72 orëve pritet të dalë edhe përgjigjja e analizave për ujin që kanë konsumuar banorët. Deri më tani janë kryer të gjitha analizat në burime. I gjithë qyteti i Krujës furnizohet nga dy burime të cilat ndahen në gjashtë depo.

Top Channel