Me 3 thasë kanabis drejt Selanikut, dy shqiptarët nuk i binden urdhrit të policisë dhe “zhduken” në pyll

26/10/2021 13:57

Departamenti i anti drogës të Kosturit në Greqinë veriore, ka shpallur në kërkim dy shtetas shqiptar 31 dhe 19 vjeç, pasi sipas njoftimit të policisë greke, këta dy shtetas po transportonin me një automjet me targa të vjedhura një sasi kanabis sativa, prej afro 66 kg.

Sipas policisë, autoritetet kishin informacion të detajuar lidhur me transportin e lëndës narkotike nga kufiri shqiptar drejtë Selanikut, ndaj dhe kishin vënë në survejim automjetin e të dyshuarve.

Pasi i kanë parë autorët të ngarkojnë në bordin e automjetit 3 thasë me kanabis, u kanë bërë shenjë të ndalojnë, por drejtuesi i automjetit ka shtuar shpejtësinë duke u larguar drejt një pylli, ku kanë braktisur automjetin dhe janë larguar me shpejtësi.

Autoritet janë vënë në ndjekje të tyre dhe po krehin zonën pyjore në afërsi të Kosturit, por pa bërë të mundur arrestimin e tyre deri në këto momente.

Prej verifikimit të targave të mjetit rezultoi se targat ishin të vjedhura.

Droga dhe automjeti janë sekuestruar, ndërsa hetimet i ka marrë anti droga e Kosturit.

Top Channel