Udhëheqësi i Revolucionit Islamik të Iranit, Ajatollah Sejed Ali Khamenei ka thënë dje se uniteti mes muslimanëve është një “detyrë e qartë dhe urdhër i Kuranit”, ndërsa vendimet e disa qeverive rajonale për të normalizuar lidhjet me Izraelin janë një “gabim dhe mëkat i madh”.
“Këto qeveri duhet të largohen nga kjo rrugë e cila është kundër unitetit islamik dhe të pendohen”, i tha lideri zyrtarëve iranianë në konferencën e 35 të Unitetit Islamik në Teheran.
Konferenca e përvitshme mbahet në përvjetorin e ditëlindjes së Profetit Muhamed dhe bashkon studiuesit muslimanë Shia e Suni, intelektualë e profesorë nga e gjithë bota.
Qëllimi i saj është sipas organizatorëve, të shpjegojë e të promovojë “integrimin e fesë islame në të gjitha çështjet e jetës”.
Ajatollah Khamenei tha se arsyeja e përsëritjes së shpeshtë së çështjes së unitetit është ndarja e madhe që ekziston mes besimeve, çka armiqtë përpiqen me të gjitha forcat ta zmadhojnë akoma më shumë.
“Ju e shihni se edhe çështja e muslimanëve Suni e Shia ka hyrë tashmë në letërsinë politike amerikane prej vitesh, kjo sepse ata janë parimisht kundër dhe armiqësorë ndaj Islamit,” tha ai.
Ayatollah Khamenei tha se SHBA përpiqet të mbjellë përçarje mes kombeve muslimane me anë të grupeve të krijuara prej tyre.
“Shpërthimet e fundit tragjike mes besimtarëve muslimanë në Afganistan janë incidente të kryera nga ISIS. Po çfarë është ISIS, është i njëjti grup që Amerika dikur ka thënë shprehimisht se ka krijuar , por tani nuk e thonë më ose e mohojnë”.
Khameni tha se një nga mënyrat për të shmangur ngjarje të tilla është që muslimanët shia e suni në Afganistan të marrin pjesë në bashkime fetare të përziera.
“Nuk është e mundur të arrihet qëllimi madhor i civilizimit të ri islamik pa unitetin shia e suni”.
“Uniteti islamik është një parim dhe jo një çështje taktike për raste të veçanta”.
“Çështja kryesore e unitetit të muslimanëve është ajo e Palestinës. Sa më shumë seriozitet të tregohet në mbrojtje të drejtave të palestinezëve, aq më i fortë do të jetë uniteti musliman”, tha lideri iranian.
Top Channel