Libri “Maradona, Dora e Zotit” është një biografi e pautorizuar e Armando Diego Maradonës, përditësuar me vitet e fundit të jetës së lojtarit të shquar.

Burns ka punuar për një periudhë 30-vjeçare për të na dhënë dëshminë më të mirë të jetës dhe aktivitetit të një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Një biografi shkruar bukur për një njeri të jashtëzakonshëm. Një histori e trazuar, por e mbushur me pasion, talent dhe vullnetin për t’ia nisur gjithnjë nga e para!

I përkthyer në shumë gjuhë të botës, së fundmi edhe në shqip nga Valbona Nathanaili, libri vlerësohet si rrëfimi më i mirë i arritjeve dhe uljeve-ngritjeve të gjeniut të futbollit. Jimmy Burns përshkruan jetën dhe karrierën e stuhishme të Maradonës, që fillon në lagjet e varfra të Buenos Aires, ku lindi dhe kaloi fëmijërinë, për të vazhduar me vitet e triumfit në Argjentinë, Barcelonë dhe Napoli, heroi dhe djali i birësuar i këtij qyteti; në Shtetet e Bashkuara, më 1994, ku pasi iu nënshtrua një testi droge, doli pozitiv dhe u pezullua nga Kupa e Botës, përfshirë përpjekjet e tij për t’i dhënë lavdi Argjentinës si trajner në Kupën e Botës 2010 deri në vitet e fundit si trajner për disa ekipe të vogla, rënien tragjike të shëndetit dhe në fund edhe vdekjen e tij, më 25 nëntor 2020. Biografia e Maradonës nuk është thjesht jetëshkrimi i një njeriu të jashtëzakonshëm, por edhe një analizë e “Fenomenit Maradona”.

Një libër që lexohet me një frymë nga kushdo, sidomos prej atyre që e kanë “jetuar” magjinë e tij dhe …

Dy fjalë për autorin
Jimmy Burns u lind në Madrid, më 1953. Shkollën e mesme e kryen në “Stonihurst College”, Lancashire, ndërsa studimet e larta në University College, London. Studimet “Master” i mbron për “Politika dhe qeverisja në Amerikën Latine” në Institutin e Studimeve për Amerikën Latine pranë “The London School of Economics and Political Science”, Londër. Aktualisht është korrespondent për çështjet sociale pranë The Financial Times.

Të dhëna për librin
Titulli i librit: Maradona – Dora e Zotit
Shtëpia Botuese: Fondacioni “Henrietta Leavitt”
Viti: 2021
Autori: Jimmy Burns
Përkthyesi: Valbona Nathanaili

Top Channel