Një pemë në qendër të Tiranës në përkujtim të Rozmari Jorganxhi, Veliaj: Kujtoni ata që lanë gjurmë në qytetin tonë

23/10/2021 15:07

Një pemë në qendër të Tiranës për mexosopranon e njohur shqiptare, Rozmari Jorganxhi, e cila u nda nga jeta një vit më parë, në moshën 83-vjeçare.

Familjarë, miq, artistë apo ish-nxënës e studentë të këngëtares me famë ndërkombëtare u mblodhën për ta përkujtuar përmes një ceremonie të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në nder të figurës së njohur të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe jo vetëm, pasi Jorganxhi 10 vitet e fundit të karrierës së saj ia kushtoi Teatrit “Giusepe Verdi” në Trieste të Italisë.

“Sot jam i nderuar që do të mbjellim një pemë mu në zemër të qytetit, për të kujtuar të dashurën tonë Rozmari Jorganxhi. Ditë si kjo na kujtojnë personalitetet që do mbeten këtu edhe kur ne kalimtarët të mos jemi më. Teksa mbjellim këtë pemë sot, një përkujtim shumë i veçantë, dua që sa herë që të kaloni e të shihni atë pemë që hedh rrënjë, të kujtoni mikeshën tonë dhe ata që lanë gjurmë në qytetin tonë. Kur të shkruhet historia nuk do mbahet mend zhurma, por do mbahet mend muzika, e cila do ketë një vend të veçantë në memorien, por edhe në hapësirën fizike të këtij qyteti,” tha më tej kryebashkiaku Veliaj.

Rozmari Jorganxhi ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare. Jorganxhi ishte e para dirigjente femër e Teatrit të Operas dhe Baletit. Më vonë ajo u transferua në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet.

Top Channel