“Njeriu është i vjetër aq sa ndihet”/ Mbretëresha Elizabeth refuzon çmimin “e moshuara e vitit”

20/10/2021 18:09

Mbretëresha Elizabeth e Britanisë ka refuzuar çmimin si “e moshuara e vitit”, duke argumentuar se njeriu është i vjetër aq sa ndihet.

Madhëria e saj beson se një person është i vjetër aq sa ndihet, kështu që Mbretëresha nuk mendon se i plotëson kriteret e nevojshme për ta pranuar çmimin”.

Ishte kjo një përgjigje e prerë, por e sjellshme nga sekretari personal i Mbretëreshës, Elizabeth II, për refuzimin e këtij çmimi.

Ky çmim jepet nga revista britanike The Oldie, një revistë e përmuajshme, e krijuar në vitin 1992 dhe që i kushtohet të moshuarve.

Pas refuzimit të Madhërisë së saj, çmimi iu dha yllit franko-amerikan të kinemasë në Hollywood, Leslie Caron, i cila është 90 vjeç, pesë vjet më e re se Elizabeth.

Megjithatë, edhe nëse Mbretëresha nuk ndihet e vjetër, asaj nuk i kanë munguar problemet me shëndetin. Në ngjarjet e fundit publike, Elizabeth është vënë re të ecë me ndihmën e një shkopi.

Thashethemet mediatike flasin se Mbretëresha e ka ndaluar alkoolin dhe në veçanti ka hequr dorë nga pija e saj e zakonshme e mbrëmjes, Martini Dry.

Po ashtu, mjeku i ndaloj një udhëtim të planifikuar për këtë të mërkurë, me argumentin se ajo duhet të “pushonte”.

Top Channel