Ftesë në 5/ Përmbarimi shkon të mbyllë cirkun, artistët të përlotur kërkojnë llogari: Ku do të punojmë nesër?

20/10/2021 20:04

Sot në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon u bë përballja live mes artistëve të cirkut dhe përfaqësueses së përgjithshme të Ministrisë së Kulturës, Entela Çipa.

Gjatë ditës së sotme përmbarimi i vendosi shiritin e kuq cirkut në mes të shfaqjes, duke bërë që tashmë ajo pronë të konsiderohet private dhe jo më një ambient publik.

“Gjithnjë e më tepër jemi ndjerë të cënuar nga një pronar që po i fitonte këto hapësira toke një nga një, i kemi kërkuar edhe Ministrisë së Kulturës një plan b. Nëse ne mbyllemi dhe këta marrin hapësirën e cirkut kombëtar, ku do të shkojmë? Kemi diskutuar me Ministrinë e Kulturës, por sot mori fund kjo çështje, përmbarimi ndodhet këtu dhe kjo tokë ku ne po flasim momentalisht është një tokë private, jo më arena kombëtare e cirkut. Ku do të shkojnë ata 100 mijë fëmijë që vijnë për të parë shfaqjet e cirkut çdo vit?”, u shpreh Xhejms Kodra.

Nga ana tjetër, Çipa theksoi se Ministria e Kulturës po bën të pamundurën që të ndjekë hapat gjyqësore për të apeluar vendimin. Ndërkohë ajo iu drejtua artistëve se nga nesër mund të zhvendosen pranë ambienteve të Ministrisë së Kulturës derisa kjo situatë të marrë një zgjidhje.

Top Channel