Ende nuk ka një vendim nga rektorati i universitetit të Durrësit për studentët e pavaksinuar. Procesi i verifikimit vazhdon, ndërsa studentë dhe pedagogë janë të paqartë sesi do të vijojë ky proces.

“Kjo është një javë eksperimentale. Udhëzimi është i qartë. Studentë që nuk janë vaksinuar nuk duhet të vazhdojnë studimin pa vaksinën apo test PCR. Edhe ne si profesorat jemi të paqartë, pasi në auditore hasim studentë që e kanë bërë ose jo vaksinën dhe këta të fundit nuk duhet të jenë në auditor, por ne s’jemi policë që t’i nxjerrim jashtë. Kam besim që shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje”, thotë pedagogu.

“Do e rrezikoja (vitin akademik). Pse duhet të bëhet vaksina me detyrim vetëm në shkolla? Për ç’arsye?

Nuk e kam me dëshirë dhe nuk dua ta bëj. Askush nuk mban përgjegjësi për çfarë do të ndodhë në trupin tonë.

Përderisa janë vaksinuar të gjithë, pse jo”, shprehen studentët.

Paraprakisht është deklaruar se nuk do të ketë leksione online, por platformat do të përdoren vetëm për dërgim materialesh mes pedagogëve dhe studentëve.

“Do shpresoja të kishte leksione online. Duhet të ishte një gjë që duhej të ishte bërë më parë për të gjitha grupet e rriskuara nga mungesa fizike”, thotë njëri prej pedagogëve.

“Ato që e kanë bërë vaksinën do të hyjnë në auditor, ndërsa të tjerët ndoshta online. Nuk e di”, thotë studenti.

Mbajtja e maskës, sot ka qenë i vetmi kriter për të hyrë në auditore. Në ambjentet universitare të gjithë presin të gjendet një zgjidhje sado e vështirë në mënyrë që viti akademik të nisë normalisht.

“Të shohim nëse do të rezultojë ndonjë ndryshim apo jo. Shpresoj që vaksina të mos jetë me detyrim, në të kundërt si të gjithë të tjerët në protestë”, tha studentja.

Top Channel