Tetori rozë, njësi mamografie edhe për vajzat e gratë e FA/ Zv.ministrja e Mbrojtjes: Mos hezitoni, pa gruan nuk ka jetë

16/10/2021 12:33

Vajzat dhe gratë në uniformë do të kenë mundësinë që gjatë muajit tetor, që është edhe muaji I sensibilizimit kundër kancerit të gjirit të kryejnë kontrollin pranë qendrës shëndetësore në garnizonin “Skënderbej”, ku është vendosur një njësi e lëvizshme mamografie.

Zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici shoqëruar edhe nga Zv.shefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral major Manushaqe Shehu ishin të pranishme në këtë pikë, ku po vijon kryerja e ekzaminimeve. Zv.ministrja Bici iu drejtua me një mesazh të gjitha vajzave dhe grave të FA:

“Mesazhi im sot nuk vjen si zëvendësministre, por mbi të gjitha si grua dhe këtë mesazh sensibilizues e kam përtej grave në uniformë! Ky mesazh është për çdo grua, nënë, motër apo bashkëshorte!  E vetmja mënyrë që kemi për të shpëtuar veten është zbulimi i hershëm! Mos hezitoni në asnjë moment të bëni kontrollet! Pa gruan nuk ka jetë!”, u shpreh Zv.ministrja Dallëndyshe Bici.

Znj. Bici tha se kjo sëmundje e tmerrshme nuk ka kursyer as gratë në uniformë, ndaj Ministria e Mbrojtjes, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka ndërmarrë këtë aktivitet i cili do të vazhdojë përgjatë gjithë tetorit dhe jo vetëm.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA