Sulmi me pesë të vrarë nga shigjetat në Norvegji është akt terrori – thonë autoritetet (fotot)

14/10/2021 18:05

Sulmi i djeshëm me hark e shigjeta që la pesë të vdekur në Norvegji, duket se është një akt terrori, por motivet e të dyshuarit danez duhet ende të përcaktohen saktë, thanë autoritetet norvegjeze të sigurisë.

Policia tha se i dyshuari 37-vjeçar i konvertuar në musliman ishte sinjalizuar më parë si ekstremist i mundshëm.

Sulmuesi ende i paidentifikuar publikisht, është duke kryer ekzaminimet psikologjike.

Katër gra dhe një burrë, të moshave 50 deri në 70 vjeç u vranë prej tij, ndërsa tre të tjerë u plagosën në sulmin e mbrëmshëm në Kongsberg, 41 milje në jugperëndim të Oslo.

Kreu i policisë norvegjeze Ole Bredrup Sæverud tha se i dyshuari ishte konvertuar në fenë muslimane, ndërsa motivet e sulmti të tij mund të jenë të komplikuara dhe do të kërkojnë kohë të saktësohen. “Ngjarjet në Kongsberg duket se janë një akt terrori, por hetimet do të përcaktojnë në detaje motivacionin e tyre”.

Rrjeti publik vendas NRK raportonte  se sulmuesi ishte dënuar më parë për shkelje të vogla dhe kishte një urdhër mos-afrimi ndaj dy familjarëve të tij pas kërcënimeve.

Sæverud tha se burri ka pranuar sulmet, që janë më të rëndat në Norvegji në një dekadë.

Disa nga viktimat ishin goditur në një supermarket, dhe policia tha se vrasësi kishte përdorur edhe armë të tjera përveç harkut e shigjetës.

Sulmi nisi mbrëmë rreth orës 18.15 dhe zgjati rreth gjysmë ore deri në kapjen e të dyshuarit.

Vrasjet u kryen në disa vendndodhje të qytetit.

Policia kombëtare e Norvegjisë ka urdhëruar oficerët të mbajën armë zjarri me vete.

Top Channel