“Ne do të të vrasim”/ Tensionet në veri të Kosovës, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, mes tyre ishin pesë gazetare gra

14/10/2021 09:39

Koalicioni për Gratë në Gazetari ka shprehur shqetësime serioze në lidhje me sigurinë e gazetareve që mbuluan protestën në Mitrovicën Veriore.

Të paktën pesë gazetare gra u sulmuan nga protestuesit me gurë, molotovë dhe fishekzjarrë gjatë protestave të dhunshme të ndodhura ditën e djeshme në Kosovë, shkruan ‘CFWIJ’.

Disa gazetarë u sulmuan nga serbët ndërsa mbulonin një demonstratë ku protestohej kundër aksionit të policisë kundër kontrabandës së mallrave në të gjithë vendin.

CFWIJ ka konfirmuar se të paktën pesë gra ishin në mesin e atyre që mbulonin protestën; Blerta Ahmeti, Blert Dalloshi, Alberta Hashani korrespodente e Top Channel, Adelina Ahmeti dhe Albulena Rexha.

“Ne po mbulonim dhe regjistronim qytetarë të kombësisë serbe ndërsa vendosnim barrikada në hyrje të “lagjes boshnjake” në qytetin e Mitrovicës Veriore. Serbët që po qëndronin pranë dyqaneve ku më herët Policia e Kosovës kishte një operacion, filluan të hedhin fishekzjarrë në drejtimin tonë, ”tha Blerta Ahmeti për CFWIJ.

Ahmeti tha se kishte shumë zhurmë dhe ata nuk mund të identifikonin llojin e pajisjeve të hedhura në drejtim të tyre. Ajo shtoi se për fat asnjë nga gazetarët nuk u lëndua, por puna e tyre u ndërpre dhe ata duhej të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu media lokale serbe e Kosovës, Kossev raportoi kërcënime dhe sulme ndaj tyre. Më vonë ata vendosën të tërheqin gazetarët nga terreni.

Blerta Dalloshi i tha CFWIJ se pasi raportoi nga e njëjta zonë dy javë më parë ajo mori kërcënime nga llogari të rreme. Mesazhet që Dalloshi ndau me CFWIJ lexonin “ne do të të vrasim”. Ajo gjithashtu mori telefonata nga të njëjtat llogari në Facebook në 4 të mëngjesit.

Dalloshi po mbulonte një bllokadë nga serbët vendas në kufirin Kosovë-Serbi kur filloi të merrte kërcënime me vdekje.

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ofrojë sigurinë e duhur për gazetarët që të jenë në gjendje të ushtrojnë punën e tyre.

Koalicioni për Gratë në Gazetari shpreh solidaritetin ndaj gazetarëve të sulmuar dhe u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i mbrojnë ata në terren. Këto sulme janë jashtëzakonisht alarmante dhe siguria e gazetarëve që punojnë në rajon duhet të sigurohet!

FOTO GALERI
2/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA