Aksioni anti kontrabandë krijoi dhunë e tensione në veri/ Policia: 8 persona janë arrestuar, situata tashmë e qetë

13/10/2021 18:23
Një mjet i policisë, i dëmtuar nga goditjet e serbëve lokalë në Mitrovicën e Veriut

10 policë mbetën të plagosur këtë të mërkurë në veri të Mitrovicës, pasi serbët lokalë kundërshtuan kontrollet anti kontrabandë që ata po kryenin në zonë.

Përmes një deklarate për shtyp, policia njofton se sot “nën autorizimin e prokurorive kompetente, ka nisur kontrollin në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut”.

Efektivët kanë hasur probleme në Mitrovicën e Veriut, ku grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, siç njofton policia, dhe kanë bllokuar rrugën. Të dyshuarit kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.

Policia e Kosovës është kundërpërgjigjur dhe për pasojë një person ka mbetur i plagosur.

10 policë janë plagosur, nga të cilët 7 janë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe 3 zyrtarë te nacionalitetit serb.

Tashmë situata në Mitrovicën veriore është e qetë, ndërkohë që vazhdon hetimi për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që ushtruan dhunë ndaj policëve, që ishin në krye të detyrës.

Deri tani janë arrestuar 8 persona të dyshuar për kontrabandim me mallra ndërsa 10 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. “Janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo”, shkruan policia në njoftimin e saj për mediet.

Veriu i Kosovës u përball me tensione të forta vetëm disa ditë pasi u arrit një zgjidhje e përkohshme për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë, që mbajtën për 2 javë të bllokuar pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut nga protestuesit serbë.

FOTO GALERI
11/29

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA