1200 aplikime deri më tani/ Çuçi thirrje të rinjve që duan t’i bashkohen Policisë së Shtetit

13/10/2021 13:16

Kur kanë mbetur edhe 3 ditë të tjera nga afati për aplikimin në Pocilinë e Shtetit për punonjës të rolit bazë, që do të jenë Patrullë e Përgjithshme, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, iu bëri thirrje të rinjve dhe të rejave që duan t’i bashkohen kësaj trupe të shfrytëzojnë kohën e mbetur.

Gjatë një takimi me studentë të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit, të cilët kanë nisur praktikën pranë Drejtorisë Vendore në Tiranë, Çuçi tha se ulja e moshës mesatare të policisë, dhe investimet në teknologji mbeten një prioritet i qeverisë, për të rritur kështu cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe forcën goditëse ndaj paligjshmërisë. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme për ata që duan të bëjnë karrierë në Policinë e Shtetit, të ruajnë integritetin moral e profesional që prej ditës së parë të punës.

“Integriteti në punë shënohet që në ditën e parë. Bëjnë karrierë në Policinë e Shtetit ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional. Niseni karrierën tuaj me synimin për të mos humbur asgjë nga integriteti. Mos u gënjeni nga modele të mbrapshta që prishin karrierën tuaj që në momentet e para. Brezi juaj dhe të tjerët që do të përzgjidhen nga aplikimet e reja, do të ripërtërijë më tej trupën e Policisë së Shtetit. Ne jemi në një fazë që duam ta ulim akoma moshën mesatare në Policinë e Shtetit dhe po investojmë gjithashtu në teknologji të lartë”, tha ministri Çuçi.

Policia e Shtetit ka bërë 2 thirrje publike, për 500 punonjës policie të rolit bazë, që do të jenë Patrullë e Përgjithshme, si dhe për 50 oficerë për Hetimin e Krimit, që vijnë nga të rinjtë ekselentë të fushave të ndryshme si shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike. Thirrja për rolin bazë është e hapur për aplikime edhe për 3 ditë, deri në 16 tetor. Deri më tani numri i aplikimeve është inkurajues, rreth 1200 të rinj e të reja. Thirrja e dytë për studentët ekselentë që duan të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të krimit është e hapur deri në 27 tetor.

FOTO GALERI
4/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA