Xhaçka pret ministren britanike për Evropën, Wendy Morton/ Ministrja: Dimension i ri i marrëdhënieve ekonomike, politike e kulturore

11/10/2021 16:45

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me Ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, Wendy Morton.

Në fokus të diskutimeve ishte fuqizimi i bashkëpunimit dypalësh me fokus në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, si dhe dakordësimi për të bashkëpunuar për prioritetet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ministrja Xhaçka theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një mik i rëndësishëm i Shqipërisë dhe aleat i Ballkanit Perëndimor.

Vizita e ministres Morton shënon hapjen e siparit të një faze të re në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Është një moment shumë simbolik, pasi këtë vit ne shënojmë njëqind vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike për herë të parë, në vitin e largët 1921, dhe pikërisht në këtë përvjetor jemi duke punuar ngushtë për t’i dhënë kësaj marrëdhënieje një dimension të ri, shumë më ambicioz, qoftë në shkëmbimet ekonomike, politike, kulturore, por edhe në bashkëpunimin në organizata ndërkombëtare”, u shpreh ministrja Xhaçka pas takimit.

Nga ana tjetër, ministrja Morton tha se me dakordësimin për mbajtjen e  Këshillit të përbashkët të Partneritetit, Mbretëria e Bashkuar ka riafirmuar mbështetjen e saj për agjendën ndërkombëtare dhe të reformave të Shqipërisë.

“Mbretëria e Bashkuar konfirmon angazhimin e saj për një marrëdhënie më të ngushtë me Shqipërinë dhe për të luajtur një rol pozitiv të vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor. MB vazhdon të jetë një mik dhe aleat i fortë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ajo.

Të dy vendet janë zotuar të punojnë së bashku edhe më ngushtë në NATO dhe veçanërisht përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi Shqipëria fillon mandatin e saj dyvjeçar në janar 2022. Këshilli i përbashkët i Partneritetit do të ofrojë gjithashtu mundësi për një bashkëpunim të përtërirë mbi qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.

Të dy vendet gjithashtu u angazhuan për të punuar së bashku dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për ndryshimet klimatike, mjedisin dhe ekonominë e gjelbër, ndërsa presin mbledhjen e drejtuesve botërorë, ku do jetë prezent edhe Kryeministri Shqiptar, në Glasgow në muajin nëntor për samitin e klimës COP26 të OKB -së.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA