Në asnjë vepër tjetër, Kafka nuk e zbulon veten si në ‘Letrat drejtuar Milenës’, të cilat fillojnë si një korrespondencë pune, por shpejt kthehen në një histori pasionante letrash dashurie.

Milena Jesenská ishte një vajzë e talentuar dhe karizmatike aty rreth viteve ’20 të shek. 20. Përkthyesja çeke e Kafkës, kish zgjuarsinë unike të njihte gjeniun kompleks dhe karakterin e tij edhe më të vështirë. Për tridhjetë e gjashtë vjeçarin Franz Kafka, e reja 23 – vjecare, ishte “një zjarr i gjallë, që ai nuk e kish ndjerë kurrë”. Në sajë të Milenës, ai zbuloi veten në skutat më intime të shpirtit. Ishte ajo së cilës ai, në fund të marrëdhënies që patën, i besoi ditarët e tij.

Zëri i Kafkës në ‘Letrat drejtuar Milenës’ cilësohet nga kritika si më personal, më i pastër dhe më i dhimbshëm sesa në letërsinë e tij: një dëshmi e ekzistencës njerëzore dhe pritjen e së pamundurës. Një tekst klasik, një dokument i jashtëzakonshëm historik- I ndjeshëm, brilant, dhe pafundësisht i ndërlikuar … Kafka mbetet mistifikues, çelësi që ndricon leximin e romaneve dhe tregimeve të shkurtra të autorit.

Përkthyer rishtaz, rishikuar por dhe zgjeruar më shumë, ky botim përmban materiale të harruara e që nuk ishin botuar më parë për shkak të ndjeshmërisë së lartë të shkrimtarit. Përfshihen gjithashtu për herë të parë letra dhe ese nga Milena Jesenská, vetë një shkrimtare e talentuar, si dhe poseduese e këtyre letrave të dashurisë, ankthit dhe dëshpërimit të Kafkës.

 

Top Channel