“Tirana marathon”/ Veliaj: Në 17 Tetor të vrapojmë të gjithë për një qëllim

05/10/2021 16:46

Në 17 tetor do të zhvillohet Maratona e Tiranës dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u kërkon qytetarëve që të dalin të vrapojnë për t’iu bashkuar këtij eventi. Në parkun e Liqenit Artificial, u mbollën 6 rrënjë të reja bliri nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, Veliaj tha se edicioni i pestë i Maratonës do të zhvillohet në një itinerar që përfshin pjesët më të bukura të qytetit, mes të cilave edhe Parku i Liqenit. 

Veliaj: “Data 17 Tetor do të na gjejë të gjithëve duke vrapuar për kauza të ndryshme. Disa do të vrapojnë për refugjatët, disa për rritje fondesh për mjedisin, disa të tjerë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Gjithsecili do të vrapojë për kauzën e tij, por kauza jonë e përbashkët është Tirana, e cila vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe do të vizitohet nga shumë të rinj. Një nga kartolinat më të bukura do të jetë pikërisht Parku i Liqenit. Kjo është arsyeja pse e kemi bërë pjesë të itinerarit të Maratonës, e cila do të ndahet në një pjesë urbane dhe në një pjesë të rrjetit tonë të parqeve. Ju lutem të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre që do të vrapojnë, por edhe atyre që nuk do vrapojnë, të gjithë mund të na japin një dorë.”

E diela e 17 tetorit do të jetë pa makina.

Veliaj:  “Atë ditë do të bëjmë paqe me natyrën, nuk do ta ndosim. Ajo e dielë do të jetë një ditë pa makina, ku disa do të na ndihmojnë thjesht duke mos penguar sportistët që do të vrapojnë, kurse disa të tjerë do të na ndihmojnë duke vrapuar, përfshirë edhe në këtë stoli të APR-së, që është parku i Liqenit të Tiranës.”

Bashkia e Tiranës ka çelur ndërkohë zyrtarisht fushatën e mbjelljeve dhe të pyllëzimit dhe jo më kot ka zgjedhur ditën kur mbushen plot 6 vjet nga ngritja e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e ka nisur këtë fushatë të re të gjelbërimit me 600 rrënjë të mbjella në Parkun e Liqenit Artificial, ndërkohë që fushata do vijojë edhe në parqe të tjera të kryeqytetit.

Top Channel