Nga Vlora në Sarandë/ Arrestohen 7 persona! Pesë prej tyre ishin shpallur në kërkim, ja pse akuzohen

05/10/2021 16:32

Policia e Vlorës ka vënë në pranga pesë persona të shpallur në kërkim, për kryerjen e veprave të ndryshme penale, po ashtu u arrestua një 37-vjeçar që u kap me kokainë, edhe një 20 vjeçar, të cilit iu gjetën dy armë gjahu pa leje në makinë.

Të arrestuarit që më herët ishin shpallur në kërkim kombëtar janë një 18-vjeçar, një 38 dhe 30-vjeçar, një 31 dhe 53-vjeçar.

“Shërbimet e DVP Vlorë dhe të Komisariateve në varësi, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan 5 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:

– Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë ndaluan shtetasin Sh. Z., 18 vjeç, banues në fshatin Selenicë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 31.07.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

– Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë ndaluan shtetasit Klement  Domeri, 38 vjeç dhe Alment  Bakullati, 30 vjeç, të dy banues në Konispol, Sarandë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, me vendimin  e datës 25.09.2020 (lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin e datës 04.10.2021), i ka dënuar këta shtetas me nga 7 vite e 4 muaj burg secilin, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotikeve” kryer në bashkëpunim.

– Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë ndaluan shtetasin M. H., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi  Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

 -Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë ndaluan shtetasin Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës””, njofton policia.

Po ashtu nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi i shtetasit  F. L., 37 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, një përforcues grushti (dorezë metalike), dy mjete prerëse (thika) dhe një shkop metalik.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë procedimi në gjendje të lirë i shtetasit K. B., 20 vjeç, banues në Orikum, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu çifte, që ky shtetas e posedonte pa leje.

Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel