Lezhë/ “Fati i lojërave” çon në pranga pronarin, administratorin dhe klientin që lëvizte me pistoletë në brez

05/10/2021 16:24

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Fati i lojërave”, ku si rezultat kanë rënë në pranga pronari dhe administratori i një lokali, si edhe një shtetas tjetër që u kap me armë zjarri në ambientet e lokalit.

“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, në aksin rrugor Milot-Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit Gj. P., që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe 2.500.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. L., klient në lokal, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, me krehër me 8 fishekë”, njofton policia.

Sakaq është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë, municion luftarak, 32 makinetat dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Ndërsa në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar kanë vënë në pranga shtetasit:

Gj. P., 29  vjeç, banues në Mamurras, pronari i lokalit dhe A. K., 41 vjeç, menaxheri i lokalit, banues në Thumanë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

E.L., 29 vjeç (klient në lokal), për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun dhe në këtë kuadër Policia e Lezhës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Top Channel