U ekzekutua nga bashkëshorti, qindra qytetarë në Mal të Zi protestojnë për 19-vjeçaren shqiptare

03/10/2021 18:51

Qindra qytetarë protestuan sot në Mal të Zi për vrasjen e 19-vjeçares Shejla Bakija.

Vrasja e të resë nga bashkëshorti dy ditë më parë, tronditi komunitetin në Tuz të Malit të Zi.
Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave si dhe qytetarë të thjeshtë kanë dalë këtë të diel në rrugë dhe kanë kërkuar hetimin e plotë për rastin dhe arrestimin e autorit.

Ata thonë se policia ka heshtur gjatë kohës kur e reja ka bërë denoncime për dhunë, duke çuar kështu në vrasjen e saj.

Ilir Gjokaj shkoi në shtëpinë e Shejlës dhe e qëlloi për vdekje atë dhe gjyshen e saj.
Policia e ka shpallur në kërkim, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.

Në të gjithë rajonin janë raportuar raste në rritje të dhunës dhe vrasjes së grave. Në shumicën e ngjarjeve, vajzat kishin raportuar më herët për dhunë në polici, por sërish  gjetën veten të pambrojtura përballë burrave vrasës.

Top Channel