Shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç janë në Bruksel për të diskutuar rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.
Të dy ata po takohen fillimisht ndarazi me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa diskutimeve pritet t’u bashkohet edhe Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.
Diskutimet u bënë të mundura me përpjekjet perëndimore për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë për të dhjetën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat. BE-ja kërkon largimin e policisë së posaçme dhe barrikadave në veriun e Kosovës- paralajmëron takim negociatorësh. Forcat paqeruajtëse të NATO-s zgjeruan patrullimet në zonë të hënën dhe thanë se kanë biseduar më qeverinë dhe udhëheqësit lokal serbë për uljen e tensioneve.
Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se serbët në veriun e Kosovës refuzuan një ofertë të trupave të KFOR-it që të përkujdesen për vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.
Top Channel