Gjykata e Lartë ka vendosur rigjykim në apel me trup tjetër gjyqësor, pra pranon kërkesën e avokatëve të Saimir Tahirit.
Gjykata e lartë nuk ka pranuar kërkesën e SPAK për të gjykuar çështjen në Shkallën e parë.
Pas dhënies së vendimit Saimir Tahiri doli në heshtje nga Gjykata e Lartë, dhe nuk preferoi që të ndalej të fliste me gazetarët.
Në fjalën para mediave, avokati Maks Haxhia tha se janë optimist që Saimir Tahiri do të fitojë pafajësinë.
“Strategjia e radhës është që çështja të shkojë në gjykatën e Apelit të insistojmë për pafajësinë tonë. Në parim është çdo njeri që ecën në rrugën drejt suksesit, ka bashkëudhëtar dhe dështimin por jemi optimist dhe të sigurt që dejtësia do të shkojë në vend dhe t’i japë pafajësinë Saimir Tahirit”, tha Haxhia.
Pas ankimit të ushtruar nga prokuroria dhe të pandehurit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, ka vendosur:
– Prishjen e vendimit nr. 60, datë 19/09/2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një trupe tjetër gjykuese.
Pasi e shqyrtoi çështjen ne tërësi dhe dëgjoi parashtrimet dhe kërkesat e prokurorit dhe avokatëve të të pandehurve, Kolegji Penal i Gjykatës, vërejti se:
Çështja e përbërjes së rregullt të trupit gjykues është çështje thelbësore e parimit të gjykatës së caktuar me ligj si pjesë e procesit të rregullt ligjor. Gjyqtari, që në bazë të Kodit të Procedurës Penale ka shkaqe papajtueshmërie sipas nenit 15 të këtij Kodi, nuk mund të jetë pjesë e një trupe gjyqësore e cila mund të japë një vendim të konsideruar të ligjshëm.
Cilësimi i ndryshëm ligjor i fakteve për të cilat akuzohen të pandehurit mund të kryhet nga gjykata me vendimin përfundimtar, aq më tepër kur ai nuk është një cilësim juridik më i rëndë.
Kolegji vërejti se nuk ka patur mosrespektim të dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim.
Pretendimet e tjera, në rekurset e paraqitura nga të gjykuarit, që kanë të bëjnë me vlerësimin e provave të paraqitura nga prokuroria në kërkesën për gjykim Kolegji konsideron se analiza dhe çmuarja e provave është atribut i gjykatave të faktit dhe si të tilla nuk janë objekt i shqyrtimit në Gjykatën e Lartë; aq më tepër që çështja në shqyrtim është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë se palët në gjykim kanë qenë dakord me aktet e fashikullit hetimor të prokurorit.
Sa i përket kërkesës së Jaeld Celës që pretendonte veprime procedurale për marrjen e provave, siç është caktimi i një eksperti ose grupi ekspertësh mjekoligjorë për të verifikuar diagnozat mjekësore, vlerësohet si një kërkesë e papranueshme për sa kohë që Gjykata e Lartë nuk është një gjykatë fakti por është gjykatë ligji. Duke vërejtur mos ndryshimin e kushteve, kritereve dhe nevojave të sigurimit për të cilat është vendosur masa e sigurimit “Arrest në burg”, duke e shqyrtuar në referencë të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji nuk mund ta pranonte kërkesën.
Nga sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi:
1.Prishjen e Vendimit nr. 16, datë 26.6.2020, të Gjykata së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.
2.Rrëzimin e kërkesës së të gjykuarit J.Ç., për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.
Top Channel