Autori i vrasjes së oficerit të Krimeve në Lezhë, Aldi Rama është gjetur i vetëplagosur dhe në gjendje kritike për jetën.
21-vjeçari ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”, ndërsa policët i kanë bërë thirrje që të dorëzohej. Top Channel ka siguruar pamjet kur 21-vjeçari u transportua me urgjencë në spital.
Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij.
Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas informacioneve, vrasja e efektivit Saimir Hoxha ka ndodhur në një postbllok të ngritur nga policia në Ishull Lezhë gjatë një aksioni antidrogë. Policia ka vënë re një makinë të dyshimtë dhe i ka kërkuar që të ndalonte.
Ndërsa oficeri Saimir Hoxha ka shkuar për ta pyetur e kërkuar dokumentacionin e nevojshëm, i riu ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar për vdekje.
Më pas autori është larguar me makinën, por rreth 3 minuta larg vendit të ngjarjes është gjetur mjeti i tij. Kjo ka krijuar dyshimet se autori ishte larguar në këmbë.
Policia e Lezhës ndihmuar nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shkuan në vendin e ngjarjes dhe punuan për kapjen e autorit.
Top Channel