Humbja ndaj Arsenalit ishte e treta radhazi për Tottenhamin, që në 270 minuta ka nxjerrë plot 9 herë topin nga rrjetë dhe tashmë drejtuesit e klubit kanë filluar të kuptojnë dobësitë e një skuadre, që përveçse vuan në prapavijë, ka shënuar vetëm 4 gola në 6 ndeshjet e para.

Pasi këmbënguli gjatë për t’u larguar nga skuadra, kapiteni Harry Kane qëndroi, por me zemër të thyer dhe deri tani është shfaqur shumë larg formës me të cilën na kishte mësuar vitet e fundit, ndërsa koreano-jugori Hueng Min Son nuk mban dot peshën e repartit i vetëm.

Pikërisht për këtë arsye, drejtori sportiv Fabio Paratici po planifikon lëvizje në merkato dhe ka piketuar dy emra që dëshiron t’i sjellë në Londër, për të përforcuar repartin e avancuar. I pari është sulmuesi i Aston Villa-s, Ollie Watkins, 25-vjeçari që në sezonin e tij të parë në Premier League shënoi 14 gola dhe drejtuesit e Tottenhamit e shohin si futbollistin e duhur për të zëvendësuar kapitenin Harry Kane, i cili me gjasë do të lërë “Spurs”-at verën e ardhshme.

Kartoni i Watkins vlerësohet rreth 50 milionë euro nga Aston Villa, megjithatë vlera mund të rritet edhe më shumë nëse sulmuesi do të konfirmojë formën e mirë të sezonit të kaluar, ndaj drejtuesit e Tottenham po nxitojnë për të arritur sa më shpejt një marrëveshje. Emri tjetër që mund të transferohet që në janar në Londër, është suedezi Dejan Kulusevski, i cili prej më shumë se një sezoni nuk po arrin të përshtatet te Juventusi dhe as me Massimiliano Allegrin në pankinë, nuk ka gjetur hapësirat që do të donte.

Futbollisti pëlqehet shumë nga Paratici, i cili e mori nga Parma te Juventus dy vite më parë, ndërsa tani është gati ta transferojë në Londër, pasi e sheh si një sulmues të dytë ideal, që mund të rritë ndjeshëm forcën goditëse të “Spurs”-ave.

Juventus shpenzoi rreth 40 milionë euro për kartonin e Kulusevskit, megjithatë duke qenë se futbollisti nuk shihet si i rëndësishëm nga Allegri, bardhezinjtë mund të heqin dorë lehtësisht në këmbim të një shifre prej 30-35 milionë eurosh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA