Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se ka shprehur shqetësimin për gjendjen e krijuar në veri dhe njëkohësisht ka kërkuar qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë.
Abdixhiku po ashtu ka thënë se ka kërkuar nga kryeministrit Kurti koordinim të plotë me aleatët tanë.
“Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti. Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.
Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet. Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë”, ka shkruar ai në Facebook.
Top Channel