Arben Ahmetaj flet si drejtues i qarkut të Vlorës: Politika e PS në raport me bashkinë nuk do të ndryshojë. Komenti për librin “vrasja e kryeministrit” në zyrën e Braçes

21/09/2021 20:33

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka prezantuar koordinatorin politik të qarkut të Vlorës Arben Ahmetaj. Në takim, të pranishë, ishin edhe kryetarët e bashkive dhe deputetët e qarkut.

Para medias, Arben Ahmetaj u pyet për pozicionin e ri që ka marrë në Partinë Socialiste si zv.kryeministër që më parë e mbante Erion Brace dhe drejtues politik i qarkut të Vlorës, post të cilin e mbante Damian Gjiknuri.

 “Në PS nuk zëvendëson askush askënd, por marrim përgjegjësi, ashtu sic na ka ndodhur në historinë tonë politike në vazhdim. Unë kam lëvizur nga Gjirokastra, Korça, Tirana, sot në Vlorë, është privilegj dhe përgjegjësi e madhe që të jesh drejtues politik i qarkut të Vlorës. Damiani dhe të gjithë stafi politik këtu ka bërë një punë të shkëlqyer. 8 mandatet janë të rëndësishme që i kanë dhënë fitore të vazhdueshme PS. Linja jonë politike është vazhdimësi në Vlorë. Ne kemi filluar punën për mandatin e katërt dhe kalon nga modernizimi i partisë, zgjedhjet lokale me zgjedhjet e zgjuara, pa surpriza, të rëndësishme në vazhdim të asaj politike që ka theksuar kryeministri”, Ahmetaj.

Ndër të tjera, u pyet edhe për konfliktin e PS me kryebashkiakun Leli dhe për çështjen e reformës në administratë. Ahmetaj tha se në PS nuk ka konflikte por debate duke nënvizuar se konfliktet përjashtojnë ata që i iniciojnë.

Ahmetaj: PS nuk ka konflikte ka debate. Konfliktet përjashtojnë le të themi ata që i iniciojnë. Politika jonë, politika e PS dhe e kryeministrit nuk ka ndryshuar në raport me bashkinë e Vlorës dhe nuk do të ndryshojë. Kemi rrugë për të bërë së bashku. Të gjitha pyetjet do marrin përgjigje në vazhdimësi, por nuk ka asnjë surprizë në vazhdimësinë e politikës që ka prononcuar kryeministri dhe drejtuesi i deritanishëm i qarkut, Damiani. Socialistët e bashkuar do të punojnë në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Bashkimi i socialistëve është çelësi i suksesit. Investimet e Vlorës do vazhdojnë të jenë po në atë rrugë të mandatit të parë, të dytë dhe të tretë. Vëmendja e kryeministrit nuk ka ikur asnjë sekond nga Vlora.

Pyetje: Do të ketë reforma në administratë?

Ahmetaj: Kjo është çështje administrative, nuk është çështje e drejtuesit politik të qarkut apo sekretarit të përgjithshëm. Ato janë politika shtetërore. Ne jemi duke folur për politika partiake.

Në ditën e tij të fundit në zyrë, Zëvendëskryeministri Erion Braçe publikoi një video duke treguar se në zyrë mbante librin “Vrasja e një kryeministrit”. Ahmetaj u pyet nëse Brace e ka marrë me vete apo e ka lënë aty dhe u përgjigj shkurt: “Ndjesë, se kam parë.”

Pranë Ahmetaj ishte edhe Damian Gjiknuri, i cili ka shprehur falenderimet për kolegun duke theksuar se do të vazhdojë të shprehë interes për mbarëvajtjen e gjërave në Vlorë, por detyra politike i kërkon që të kontribuojnë në të gjithë Shqipërinë.

Gjiknuri: Sot e patëm rastin të mbledhim të gjithë strukturat e qarkut të Vlorës të PS dhe të prezantoj të deleguarin e ri për qarkun e Vlorës. I falenderojmë strukturat për të gjithë rezultatin. PS është e gatshme për zgjedhje dhe qëllimi është që edhe në këto periudha ndërmjet zgjedhjesh, kjo parti të shëndoshet më shumë që të jetë në gjendje që në cdo kohë që të ketë zgjedhje, qoftë vendore, qoftë të përgjithshme, të marrë gjithmonë rezultatin fitues pasi është partia që ka shtrirjen më të madhe, organizimin më të madh.

Do të bëjmë më të mirën. Mua më lidhin shumë gjëra me Vlorën por detyra jonë politike është të japim kontributin në të gjithë Shqipërinë. Do shpreh interes për mbarëvajtjen e gjërave në Vlorë. Më vjen mirë që është kolegu im Arben Ahmetaj, një mik i imi i vjetër, por nga ana tjetër, PS lufton për të pasur rezultate në të gjithë qarqet. Unë nuk jap porosi, ne kemi një mendje dhe një qasje për PS.

Top Channel