Macron i kërkon ndjesë Algjerisë për braktisjen e luftëtarëve Harki në luftën e pavarësisë (fotot)

20/09/2021 20:17

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar sot “falje” në emër të vendit të tij për braktisjen e luftëtarëve algjerianë që luftuan përkrah Parisit gjatë përpjekjes se pavarësisë së Algjerise.

Më shumë se 200,000 algjerianë luftuan në radhët e ushtrisë së Francës, kur Algjeria luftoi kundër kolonizatorëve të saj nga viti 1954 deri në 1962.

Në fund të lutës që ishte brutale nga të dyja palët, qeveria franceze i braktisi mbështetësit e saj algjerianë të njohur si  Harki, megjithë premtimet se do të kujdesej për ta.

Këta luftëtarë të bllokuar në Algjeri, u masakruan pa mëshirë nga drejtuesit e rinj të vendit të pavarur.

Mijëra të tjerë që u arratisën në Francë, u internuan në kampe përqendrimi, shpeshherë me familjet e tyre  në kushte degraduese e traumatizuese.

“Dua të shpreh mirënjohjen time për luftëtarët,” tha Macron në ceremoninë e pallatit presidencial Elysee ku merrnin pjesë rreth 300 njerëz, kryesisht Harki të mbijetuar dhe familjarë të tyre.

“Ne po kërkojmë falje. Ne nuk do të harrojmë,” tha Macron duke shtuar se Franca kishte dështuar në detyrimet e saj ndaj Harki-ve, grave e fëmijëve të tyre.

Presidenti centrist është detyruar të përballet me disa nga kapitujt më të errët të historisë koloniale të vendit. Ai premtoi sot një ligj të ri për njohjen e përgjegjësisë së shtetit.

Fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga njerëz të pakënaqur, përfshi dhe një grua që e akuzoi për “premtime boshe”.

Edhe pararendësi i Macron, presidenti Francois Hollande në 2016 pranoi tradhtinë e Francës në braktisjen e luftëtarëve besnikë.

FOTO GALERI
1/5
Macron ka kërkuar sot "falje" në emër të vendit të tij për braktisjen e luftëtarëve algjerianë që luftuan përkrah Parisit

Top Channel