Davide Pecorelli, biznesmeni që u zhduk rreth 8 muaj më parë në Shqipëri është gjallë. Sipërmarrësi italian u rishfaq në bregdetin e Livornos në një gomone të mbytur pranë një ishulli.
Babai i tij, Renato Pecorelli foli për mediat italiane duke thënë: “Sapo ta shoh, do ta përqafoj dhe më pas do t’i tërheq veshët.” Ndër të tjera, zbuloi se lajmin e mrekullueshëm ia dha ish gruaja e Pecorellit, me të cilin kishte komunikuar në telefon.
“Unë po shpresoja për të, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë. Ajo më tha se kishte folur me Daviden dhe se ai është mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu që ai do të më thotë çfarë ndodhi”, tha babai.
Mbi 8 muaj pa asnjë të re, pika e kthesës së gjurmëve për Davide Pecorellin ishte më 17 shtator. Babai i 4 fëmijëve, Pecorelli ishte zhdukur në Pukë në Shqipëri, ku erdhi për një udhëtim pune për të takuar edhe pronarin e një qendre bukurie.
Historia e Davide, veçanërisht në muajt e parë pas zhdukjes së tij ngriti shumë pista hetimi dhe bëri që policia italiane të vijë në Shqipëri për të mësuar detaje rreth tij. 45-vjeçari, i cili erdhi në Shqipëri më 3 Janar, mori më qira një automjet tip “Skoda Fabia”, udhëtoi drejt Vlorës, më pas shkoi në Shkodër dhe bëri një ndalesë në Pukë. Që prej 6 janarit u zhdukën gjurmët e tij, ndërsa në automjetin krejtësisht të djegur u gjetën sende personale që dyshohet t’i përkasin biznesmenit.
Mbetet ende për tu sqaruar se çfarë ndodhi në muajt e fundit me të, ndërsa Pecorelli pritet të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Perugias.
Top Channel