Mesazhi në shishe nga Japonia, del në brigjet e ishullit Hawaii 37 vjet më vonë (fotot)

17/09/2021 19:10

Zbulimi i bërë nga një vajzë e zonës u bë disa dekada pasi shishja ishte hedhur në det nga nxënes shkolle si pjesë e eksperimentit për monitorimin e rrymave të oqeaneve.

Një shishe e xhamtë e hedhur në det 37 vjet më parë në Japoni nga nxënës të shkollës së mesme, është gjetur në ishullin e Hawaii, rreth 6,000km larg.

Nxënës të klubit të shkencave natyrore të shkollës së mesme Choshi në qytetin japonez të Chiba lëshuan shishen në vitin 1984 për të studiuar rrymat e oqeaneve, shkruan rrjeti japonez  Mainichi

Në total 750 shishe ishin lëshuar në oqean pranë ishullit të Tokios, Miyakejima, në vitet 1984 e 1985.

Më parë një shishe e tillë ishte gjetur në ishullin japonez të Kikaijima në 2002.

Ndërsa nëntë vjeçarja Abbie Graham gjeti këtë muaj shishen në një plazh shkëmbor në Hawaii, me shënimet në gjuhën japoneze, angleze e portugeze që shpjegonin se ishte lëshuar nga Choshi, dhe që i kërkonin gjetësit të kontaktonte shkollën.

Abbie dërgoi njoftimin e saj për shkollën Choshi, së bashku me një vizatim të vetës dhe motrës së saj duke ngrënë ‘sushi’.

Zv. drejtori i shkollës Jun Hayashi tha në një mbledhje më 15 shtator: “Ne mendonim se shishja e fundit e gjetur do të ishte ajo në Kikaijima. Nuk mund të imagjinonim që do të gjendej një tjetër 37 vjet më vonë.”

Prej vitit 1985, shishet e mesazheve të lëshuara nga shkolla janë gjetur në 17 vende duke përfshirë Okinawa në Japoni, Filipinet, Kinë dhe në brigjet perëndimore të SHBA.

54 vjeçari Mayumi Kanda, ish-anëtar i klubit të shkencës në 1984, tha: “U surprizova shumë, m’u ringjallën kujtimet nostalgjike të ditëve të shkollës”.

Edhe Abbie pranoi se e shijoi eksperiencën, teksa tha: “Tani që e kuptova, do të shkoj të kërkoj për ndonjë tjetër.”

FOTO GALERI
1/3
Nëntë vjeçarja Abbie Graham gjeti këtë muaj shishen në një plazh shkëmbor në Hawaii, me shënimet në gjuhën japoneze, angleze e portugeze

Top Channel