Në Bashkinë Maliq, prej vitesh mungojnë mjekët në qendrat shëndetësore. Emisioni  “Fiks fare” e ka ngritur këtë shqetësim të banorëve të Bashkisë Maliq të cilët vuajnë për mjek disa herë, por edhe pas një viti ende është e njëjta situatë.   

Madje ai që e ngre më fortë shqetësimin e banorëve të Maliqit është kryetari i bashkisë zoti Gëzim Topçiu .”Kjo situatë është prej 3-4 vitesh dhe nuk ka asnjë përmirësim. Jemi ankuar dhe te Drejtoria Rajonale e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Elbasan, në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë, në Ministrinë Shëndetësisë dhe nuk është bërë asgjë. Kemi 8 mjekë dhe na duhet edhe 8 të tjerë” shprehet kryetari.

Ai u tregoi gazetarëve shkresat zyrtare që bashkia që ai drejton u ka nisur instancave përgjegjëse në lidhje me mungesën e bluzave të bardha, dhe nga këto shkresa gjendja duket alarmante.

Vetëm në qendrën e qytetit punon një mjek që mbulon 8000 banorë, ndërkohë që për këtë numër popullsie duhet të ishin tre mjekë. Në Njësinë Administrative Libonik me 14 000 banorë shërbejnë vetëm tre mjekë, ndërkohë që duhet të jenë pesë në total. Në Njësinë Administrative Pojan me 17 000 banorë janë 12 qendra shëndetësore dhe janë vetëm katër mjekë nga tetë që duhen të jenë. Nga këta katër mjekë që janë aktualisht në punë, tre prej tyre kanë dalë në pension.

Në Njësinë Administrative Vreshatas me 11 000 banore janë dy mjekë nevoja është edhe për dy të tjerë.  Në Njësinë Administrative Pirg me 10.000 banorë është vetëm një mjek në shërbim, ndërkohë që duhet të jenë tre në total në bazë të numrit të banorëve.

Problem në këtë bashki është se mjekët të cilët janë në pension dhe mund  të punojnë ende, janë të detyruar që çdo 6 muaj të rinovojnë kontratat me Ministrinë e Shëndetësisë. Procedurë që i penalizon deri diku, pasi zgjat afërsisht dy muaj. Kjo e bën situatën edhe më keq, pasi banorët nuk marrin shërbim. “Nuk mund te bëjmë dot asgjë. Shkresa nisim, por mjek nuk vijnë” janë fjalët e fundit të bisedës me zotin Topçiu.

Përveç banorëve që kanë mungesa në shërbim për shkak të mungesës së mjekëve edhe mjekët nga ana tjetër ankohen. Në Qendrës Shëndetësore në Maliq mjekja e përgjithshme Eranda Dervishi shpjegon se u shërben e vetme 6500 banorëve ndërkohë që duhet të ishin edhe dy mjekë të tjerë.

“Jam vetëm unë në këtë punë për të mbi 6500 banorët dhe duhen edhe dy mjek të tjerë. Puna është e vështirë dhe mezi e përballoj” pohon mjekja .

Edhe dy infermieret e ambulancës së fshatit Zvirinë  pohuan se mjeku shkon vetëm një herë në javë  ose një herë në dhjetë ditë. Kjo pasi i njëjti mjek mbulon edhe disa fshatra te tjerë. Ato pohojnë se mungesa e mjekëve është pasi shumica e tyre janë larguar drejt Gjermanisë madje edhe ato vetë po bëhen gati të ikin.

Vitet ikin, mjekët ikin, por gjendja mbetet po ajo. Shpresë për t’u rregulluar situata …

FOTO GALERI
1/2

Top Channel