Rama: Do shkoj në New York që t’i kërkoj aleatëve… Flet për rezultatet e Policisë së Shtetit dhe rritjen e pagave të tyre

16/09/2021 11:39

Kryeministri Edi Rama, teksa prezantoi planin qeverisës për këtë mandat të tretë, tha se do të shkojë në New York ku do të marrë pjesë në punimet e asamblesë vjetore të OKB-së.

Rama tha se mund të vijë prej andej me lajme të mira sa i përket Forcave të Armatosura, për ta kthyer këtë Akademi në një shkollë të mirëfilltë ushtarake.

“Pas vendimit të qeverisë do shkojmë në New York dhe kam  shpresë që do mund të kthehemi me një lajm domethënëse për forcat tona të armatosura. U kemi kërkuar aleatëve kthimin e Forcave të armatosura në akademi ushtarake, në mënyrë që shkollimi të bëhet në kushtet e ekselencës që bëhet në SHBA”, tha Rama.

Më tej kryeministri foli edhe për Policinë e Shtetit ku tha se ky do të jetë një mandat i shtrirjes më thellë në luftën kundër krimit të organizuar dhe thellimin e vetë Policisë së Shtetit, ndërsa përmendi edhe rritjen e pagave.

“Do jetë një mandat i shtrirjes së thellë të revolucionit digjital në funksion të sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, kontrollit mbi territorin dhe mbi qarkullimin rrugor. Rezultat e Policisë së Shtetit janë shumë të mira, krahasuar me fazën e falimentuar të 8 viteve më parë, por janë të pamjaftueshme krahasuar me ambicien tonë të Shqipërisë 2030. Krahas digjitalizmit të thelluar të Policisë së Shtetit,  sigurimit të inteligjencës artificiale për të monitoruar në mënyrë konstante territorin dhe grupet kriminale, ne do thellojmë formimin e vetë Policisë së Shtetit, për të fuqizuar akademinë e sigurisë dhe për të ulur më tej moshën mesatare të trupës policore, për të ngritur rrjetin e inteligjencës në polici kundër krimit të çdo natyre dhe duke rritur në nivelin e motivimit të pagave”, u shpreh Rama.

Top Channel