“Nuk kemi premtuar asgjë për pensionistët”/ Rama: Ende nuk e hedhim dot atë hap, do të jetë dita më e bukur e jetës time kur…

16/09/2021 11:10

Rritja e pagave ishte një nga premtimet në fushatën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se do të punohet për rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, ndërsa konfirmoi se do të rriten pagat e edukatoreve, mësuesve, mjekëve, infermierëve me 40%, të administratës me 30%.

Ndërsa për solistët që kontribuojnë në Shqipëri, Rama bëri me dije se do të ketë rritje edhe për ta, pavarësisht se nuk ishte premtuar. Nuk la jashtë vëmendjes pensionistës, për të cilët tha se e kanë ende të pamundur që të rrisin pensionet e gjyshërve dhe gjysheve.

Megjithatë, Rama tha se kjo mbetet plan i varur në gjysmën e parë të këtij mandati të ri dhe “do të jetë dita më e bukur e jetës së tij të marrë buzëqeshjen e bekuar për një rritje domethënëse të pensioneve.”

Rama: Jemi të vetëdijshëm se paga minimale është ende e ulët, prandaj rritja graduale mundësisht me 40 mijë lekë të reja në fund të mandatit. Kjo është një objektiv që do fillojmë ta fusim në rrugën e realizimit që me projektbuxhetin e vitit që vjen dhe normën e pagës minimale me 32 mijë lekë të reja.

Nuk ka asgjë të premtuar në fushatë që nuk është në program. Kam thënë që të marrim programin e fushatës, ta votojmë në parlament dhe ta kryejmë një për një. E vërteta është se jo gjithmonë gjërat shkojnë sipas parashikimit dhe këtu nuk kam parasysh politikanët që premtimin e kanë si pëllumbat që nxjerrin në skenë, por ndodh që premtimi të shtyhet për një kohë të gjatë për shkaqe që janë jashtë vullnetit të qeverisë si tërmeti, pandemia apo faktorë të tretë.

Me aeroportin e Vlorës u ndeshëm me kthesa dhe ngecje të papritura jashtë vullnetit të qeverisë. Asnjëherë nuk premtoj diçka kur e di që nuk bëhet. Për gjithçka kemi premtuar do të bëjmë çmos që të realizohet dhe do të bëhet siç janë premtuar. E konfirmoj sërish sot se kjo shumicë qeverisëse do të rrisë pagat e edukatoreve, mësuesve, mjekëve, infermierëve me 40%, të administratës me 30% dhe do të shtoj diçka që nuk e kemi premtuar. Pas një shfaqje kulmore ky solistët dhanë një provë të vlerës duke shkëlqyer krah dy yjeve të skenës botërore, paga e solistëve që kanë vendosur të kontribuojnë në Shqipëri, do të dyfishohet që nga viti i ardhshëm. Gjithashtu do të ketë një rritje për trupën e TKOB, të cilën do ta motivojmë që të kthehet në ambasadore të Shqipërisë në rajon e botë.

Nuk kemi premtuar asgjë as për pensionistët. Më shumë se të gjithë të tjerët meritojnë të shpërblehen. Përtej bonusit special në fund të vitit, nuk kemi mundur dhe ende nuk mundemi ta hedhim atë hap sepse honi kërcënues i hapur për shumë vite nga skena e vjetër e pensioneve i sigurimeve shoqërore, para se të ndërmerrnim reformën shoqërore. Dua të them sot të gjithë gjyshërve se një plan i varur në gjysmën e parë të këtij mandati të ri është në tryezën tonë dhe do të jetë dita më e bukur e jetës time publike e politike të marr buzëqeshjen e bekuar për një rritje domethënëse të pensioneve. Nuk kisha pse i hapja punë vetes me një gjë kaq të madhe nëse nuk do të besoja se kjo është diçka për të cilën ia vlen të bësh maksimumin.

Top Channel