Kryeministri Edi Rama prezantoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme së bashku me kabinetin e ri qeveritar.
Rama e nisi fjalën e tij me mesazhe politike dhe me faktin se qeveria e re përbëhet nga më shumë gra dhe do të rendisë Shqipërinë në vendin e parë në OKB për numrin më të lartë të femrave në qeveri.
Ndër të tjera, Rama bëri me dije se brenda vitit 2022 do të përfundojnë pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe lufta me pandeminë do të përfundojë me vaksinimin masiv. Kryeministri nuk la pa përmendur synimet e qeverisë për rritjen e pagave, pensioneve dhe për projektet infrastrukturore në vendin tonë.
Fjala e plotë
Me një ndjenjë të posaçme mirënjohëse për zgjedhësit tanë dhe përgjegjësie përpara të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se kanë votuar ose jo për Partinë Socialiste, jam këtu, sot, përpara të gjithëve ju për të kërkuar votëbesimin për mandatin e tretë radhazi të Partisë Socialiste.
Kjo qeveri e re do të hyjë në histori si qeveria me përbërjen më të lartë të grave, jo vetëm në Shqipëri. Unë jam krenar që kjo shumicë qeverisëse e ka çuar përpara në tërë këto vite, si asnjëherë më parë, përpjekjen shoqërore për t’u dhënë grave dhe vajzave shqiptare vendin e merituar në bashkësinë tonë. Përbërja e kësaj qeverie, shumice ka qenë një pasqyrë kuptimplotë e kësaj përpjekjeje, siç është e tillë dhe pasqyra e rritjes së vazhdueshme të numrit të grave në këtë Kuvend, falë vullnetit të të gjithë ligjvënësve të këtij Kuvendi. Kjo është një nga ato gjëra me rëndësi, të cilave koha u jep gjithmonë e më shumë rëndësi. E për këtë besoj se ky Kuvend do marrë një nga jo shumë faqet e bukura të historisë shqiptare të ligjvënies.
Me votëbesimin e këtij kabineti të ri, Shqipëria ngjitet në vendin e parë të klasifikimit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për numrin e grave në qeveri, pasi ka qëndruar më parë në 5 vendet e para të këtij klasifikimi.
Thënë kjo, dy gjëra të tjera duhen thënë.
E para; tejkalimi i lartë kësaj here i shkallës së barazisë 50 me 50% mes anëtarëve dhe anëtareve të kabinetit qeveritar nuk ka qenë qëllim në vetvete. Raporti i përmbysur në favor të anëtareve në këtë kabinet të ri nuk ishte një pikënisje e qëllimshme, si në rastin e krijimit të kabinetit të parë, por ishte pikëmbërritja e natyrshme e analizës dhe punës për formimin e këtij kabineti. Sot kemi dukshëm më shumë kolege sesa kolegë në kabinet, jo për shkak të faktorit gjinor, por për arsye se ministret e qeverisë së re u përshtaten më mirë në këtë moment startit të mandatit të tretë, qëllimit të punës që duam të bëjmë dhe kriteret për pozicionet që ato mbulojnë në këtë formacion qeveritar.
Kjo do të thotë se, siç faktori gjinor nuk ka qenë shtysa e përfshirjes së tyre masive në këtë qeveri, nuk do ketë notë plus në vlerësimin e performancës së tyre në drejtim, ku vetëm rezultati do përcaktojë gjykimin periodik dhe kohëqëndrimin të çdo anëtari të kabinetit të ri në qeveri, pa dallim gjinie.
E dyta; dua të nënvizoj po ashtu se pavarësisht pasqyrës kuptimplotë të përparimit të këtyre viteve në përpjekjen për barazi gjinore edhe në nivele të tjera të ekzekutivit, ku gra zëvendësministre apo gra në pozicione drejtuese të nivelit të lartë të administratës shtetërore kanë sot një pozitë të barabartë apo pak më të favorshme sesa burrat, beteja kundër diskriminimit gjinor dhe dhunës në familje mbetet shumë e hapur, larg së qeni e fituar.
Realiteti jashtë institucional dhe përtej perimetrit të administratës shtetërore, ku sot kontribuojnë në tërësi më shumë gra se burra, nuk është aspak rozë. Ka ende shumë forca diskriminuese dhe energji negative, të cilat veprojnë në shoqërinë tonë në dëm të grave dhe vajzave. Nuk është nevoja të shkosh në pika të humbura të vendit për të gjetur raste dramatike, fatkeqësisht jo të rralla, të ndalimit të vajzave për të vazhduar shkollën, fejesash të imponuara qysh në adoleshence të tyre, deri në mbyllje të detyruar brenda mureve të shtëpisë vetëm sepse nuk janë djem. Ashtu sikundër nuk janë të rralla, për fat të keq, rastet tragjike të dhunës dhe akoma më keq, të dhunës ekstreme mbi gratë. Ngjarje tronditëse me jehonë publike janë vetëm maja e një ajsbergu të frikshëm, ndërkohë që dhuna në familje, ku viktimat janë si rregull gratë dhe vajzat, bëjnë një kërdi të heshtur kudo në territorin e vendit, jo vetëm nëpër zona të thella apo në periferi urbane.
Dua të shpresoj dhe të uroj që të gjitha gratë e pranishme në këtë sallë, pa dallime partiake, por në radhë të parë, gratë ministre, si dhe padyshim, vetë Kryetarja e re e Kuvendit ta ndjejnë më të fortë se kurrë më parë, përgjegjësinë për t’u bërë misionare të vijës së parë në këtë beteje, duke i udhëhequr me forcën e shembullit dhe fjalës dhe duke folur me akte konkrete, individuale apo të përbashkëta, sa më shumë mundësisht përtej barrikadave politike. Të gjitha ju, të nderuara kolege të pranishme, nuk do jeni vetëm konsumatore, por edhe prodhuese të energjisë pozitive të politikës në betejën për fuqizimin e grave dhe vajzave në mbarë shoqërinë shqiptare.
Shumica e re qeverisëse dhe vetë qeveria jonë do punojë me gjithë forcën e ideve dhe vullnetit për një bashkëpunim sa më të gjerë dhe të frytshëm politik dhe shoqëror, që figura e nënës, gruas, vajzës, të ndjehet sa më e mbrojtur nga forcat dhe energjitë negative të shoqërisë sonë dhe sa më e mbështetur nga politika dhe nga institucionet në të drejtat e në aspiratat e saj.
Rikthehemi në këtë sallë të gjithë pas dy vjetësh dhe pas një palë zgjedhjesh të fituara qartësisht nga njëra palë dhe të kontestuara forcisht nga pala tjetër. Përsëri një deja vu e këtyre dekadave pluralizëm, e cila shpresoj sidoqoftë të mos risjellë në skenë shfaqje ekstreme dhe pasoja të rënda si ato të mandatit të shkuar për këtë institucion të pazëvendësueshëm dhe të patjetërsueshëm demokratik, ku mishërohet drejtpërdrejtë vullneti i popullit sovran si pasqyrë e shoqërisë pluraliste.
Ky adresim kaq i rëndësishëm i Kuvendit në çelje të debatit për votëbesimin e qeverisë së re do ishte krejt i mangët, nëse përpara se të flas për sektorët, investimet, taksat, nuk do flisja për elefantin në këtë dhomë ku jemi përsëri të detyruar, duam apo nuk duam, të rrinë bashkë, nën një çati për plot 4 vite, jo vetëm me kë na pëlqen të kemi në krah, por edhe me kë nuk na pëlqen të kemi përballë.
Trajtat e të sotmes dhe së nesërmes të një vendi, rritja e ekonomisë dhe e mirëqenies shoqërore nuk varen kurrsesi vetëm nga të ardhurat dhe shpenzimet, por edhe nga institucionet dhe besimi i qytetarëve tek to. Niveli i energjive pozitive, krijuese, prodhuese, bashkëvepruese dhe bashkëpunuese në një vend varet drejtpërdrejtë edhe nga aftësia e përfaqësuesve politikë të vendit, në radhë të parë këtu, në institucionin më të lartë të përfaqësimit, për të mos i venitur ato energji me superxhiron e luftës politike.
Ne nuk jemi të detyruar të merremi vesh për gjithçka. Madje, ne mund të mos merremi vesh për asgjë, por cilësia e jetës dhe progresi demokratik i një vendi nuk varet nga sa shpesh bien dakord qeveria me opozitën, por nga mënyra sesi e shprehin dhe administrojnë palët politike mosdakordësinë mes tyre.
Tjetër të polemizosh, sado ashpër, tjetër të shahesh e të kërdisesh pa kursyer as muskujt.
Tjetër t’i biesh kundërshtarit me shuplakën e oratorisë, tjetër t’i biesh tavolinave me shputën e dorës.
Tjetër është të votosh kundër, tjetër të grisësh e të hedhësh përtokë fletën e votimit.
Kurrë mos rënshim dakord, në fund të fundit, vota vendos. Por ama, ne nuk mund të mos përpiqemi të sillemi këtu në radhë të parë, si njerëz, si prindër fëmijësh dhe si fëmijë prindërish, që kjo sallë të mos zhytet në llucën e vulgaritetit dhe brutalitetit prej ku as Shqipëria nuk del më e fortë, por tek e fundit, as kush bën më të fortin me gjuhë, këmbë dhe duar, historikisht nuk del asnjëherë i fituar.
Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, nuk kemi shkëlqyer në sytë e qytetarëve tanë si shembuj të tolerancës dhe të mirësjelljes ndaj të ndryshmëve në këtë sallë. Shumë skena e fjalë, për të cilat nuk mund të jemi krenarë, ka arkivi 30-vjeçar i filmit të këtij Kuvend. Shumë sherr e shumë shamata mes nesh, për të mos dalë asgjëkundi, ka kujtesa e njerëzve të këtij vendi. Shumë kohë e mundësi të humbura, për të bërë më të mirën për Shqipërinë dhe për fëmijët tanë, ka në ndërgjegjen e të gjithëve ne këtu. Dhe kur dalim nga këtu, pasi lëmë nam, gjithmonë, fajin sipas nesh nuk e kemi asnjëherë ne, por e kanë gjithnjë ata, pala tjetër, tamam si kalamajtë që luajnë e ka kush e ka në oborr, pasi kanë ikur nga ora e mësimit.
Sot nuk dua të drejtoj gishtin tek pala tjetër, por dua të mbaj vetëm pjesën e fajit tim dhe të kësaj shumice qeverisëse për aq sa na takon, që, sidoqoftë, me siguri besoj, duhet të jetë më shumë sesa unë dhe ne mund të mendojmë që na takon.
Dora jonë është e shtrirë drejt Partisë Demokratike. Kjo nuk është fjalë për të kaluar radhën, por është një vijë mendimi, të cilën ne do bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë një vijë sjelljeje përgjatë këtij mandati sfidues për Shqipërinë. Të jemi të qartë, ne nuk duam asnjë lëshim nga ju, por jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që ju doni. Ne nuk na duhet asnjë votë e juaja dhe nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që ju nuk e dëshironi, por jemi gati të merremi vesh me ju për çdo gjë që ju dëshironi dhe i bën mirë vendit, njerëzve dhe të ardhmes. I kemi dëgjuar në distancë disa synime tuajat. Jemi të hapur të dialogojmë drejtpërdrejtë me ju, por një gjë mbajeni gjithnjë parasysh. Me urdhra, kërcënime, ultimatume me ne nuk keni arritur dhe nuk do arrini asnjëherë asgjë. Ndërsa me komunikim të drejtpërdrejtë, duke folur dhe duke dëgjuar njëri-tjetrin, me argumente dhe me durim, ne mund të merremi vesh për shumëçka.
Edhe diçka të fundit në këtë pikë. Kjo është thjesht një përsëritje e një koncepti që e kam komunikuar fill pas përfundimit të Reformës Zgjedhore. Asnjëherë dhe për asnjë arsye, unë dhe kjo shumicë qeverisëse nuk do pranojmë asnjëlloj ndërmjetësuesi të huaj për të zgjidhur problemet, ngërçet, krizat e brendshme politike apo institucionale. Ato shkaktohen alla shqiptarçe nga ne dhe nga ju, jo nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Prandaj do zgjidhen vetëm nga ne dhe ju, jo duke folur anglisht me njëri-tjetrin, por vetëm shqip.
Të nderuar deputetë dhe deputete të Kuvendit të Shqipërisë!
Shqipëria ka ende dy fronte të mëdha të hapura.
Nga njëra anë, është fronti i përpjekjes për zhbërjen përfundimtare të pasojave të tërmetit, ku ka akoma disa mijëra qytetarë, socialistë e demokratë, njësoj, të cilët presin të kthehen në shtëpi të reja.
Nga ana tjetër, fronti i përpjekjes për daljen përfundimtare nga lufta rraskapitëse me pandeminë, ku njësoj kërcënohen jetët dhe shëndeti i demokratëve dhe socialistëve, i të gjithë shqiptarëve dhe ku pikëpyetje ende të mëdha qëndrojnë mbi kokën e gjitha vendeve të botës, në kushtet e mutacionit të shpeshtë të virusit vrastar.
Dua sot t’iu them atyre që vazhdojnë presin strehimin përfundimtar në shtëpi se ky është një nga dy prioritetet e prioriteve të qeverisë sonë. Plani ynë, siç jemi zotuar edhe në fushatë, nuk ndryshon asnjë presje tani që zgjedhjet janë pas krahëve. Viti 2022 duhet të mbyllë përgjithësisht tërësinë e të gjitha plagëve të tërmetit. Por deri ditën e kapërcimit të pragut të shtëpisë së re, të gjitha familjet e prekura që janë në pritje do vijojnë të marrin nga shteti bonusin e qerasë, përfshirë këtu, edhe ato disa qindra familje, të cilat qysh në fillim kanë zgjedhur vetë të qëndrojnë në çadër për shkak të largësisë nga qyteti dhe afërsisë me tokën dhe gjënë e gjallë në fshatin e tyre.
Nuk ndryshon as plani i vaksinimit masiv edhe në vijimësi për të gjithë popullatën, falë sigurimit të vazhdueshëm në kohë të të gjitha dozave të nevojshme, deri kur vaksinimi të jetë një domosdoshmëri për t’u mbrojtur nga infektimi i rrezikshëm.
Askush nuk mund të qeverisë përsosmërisht, pa dobësi, pa të meta, pa gabime, pavarësisht dëshirës së madhe dhe vullnetit më të mirë. Por një nga krenaritë më të mëdha të mandatit tonë të dytë do mbetet fakti se në luftën me pandeminë, në përballimin e vështirësive të jashtëzakonshme që kjo ka krijuar, sot, ne nuk kemi zili asnjë qeveri apo vend tjetër. Kemi qenë dhe mbeteni në fashën e vendeve me performancën më efikase në këtë luftë. Faktet, shifrat flasin vetë krahasimisht.
Dje kemi marrë lajmin e shumëpritur të miratimit të Green Pass Digital për lëvizjen lirisht në Europë të të gjithë qytetarëve shqiptarë të vaksinuar. Green Pass Digital gjenerohet drejtpërdrejtë përmes platformës e-Albania. Ky është një mesazh kuptimplotë për të gjithë qytetarët ende të pavaksinuar, që të vaksinohen pa humbur kohë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin në radhë të parë, por edhe për të lëvizur lirisht jashtë vendit.
Jo vetëm përpjekja jonë në të dyja këto fronte kaq me rëndësi për qytetarët do vazhdojë me gjithë pasionin dhe durimin e nevojshëm, por edhe gatishmëria jonë do jetë maksimale për çdo llogaridhënie apo korrigjim të nevojshëm, kurdo apo çdo rast ku opozita apo media do nxjerrë në pah të meta apo gabime.
Duke patur parasysh ndjeshmërinë e lartë njerëzore të të dyjave këtyre sfidave aspak të zakonshme, unë do t’i lutesha modestisht sot, edhe opozitës, edhe medias, që të kërkojnë nga qeveria çdo informacion të mundshëm zyrtar, përpara se të formulojnë qëndrimet e tyre publike. Lajmet e rreme dhe denoncimet gjysmë të vërteta, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, nëpër foltore, ekrane, portale, dëmin psikologjik e bëjnë njësoj, si kur janë me dashje, sikur kur janë padashje.
Unë zotohem se çdo qëndrim kritik apo denoncim, ngado që të vijë, do hetohet me seriozitetin e duhur prej nesh dhe për çdo rast, kur ai do gjendet i bazuar, ne do reagojmë publikisht, duke bërë reflektimin e duhur. Qeveria do vendosë në dispozicion të publikut dhe medias një kanal të posaçëm informimi në faqen e saj zyrtare për çdo akuzë, denoncim apo pretendim të ngritur publikisht, që lidhet me interesin publik.
Formati i vjetër i politikës tradicionale, me akuza dhe kundërakuza, flakë për flakë, me konferenca shtypi dhe kundër konferenca shtypi ku nuk merr vesh i pari të dytin e ku publiku vetëm helmohet dhe vetëm neveritet nga politika e si rezultat nga të gjithë ne, për ne konsiderohet praktikë e mbyllur.
Cilido që do jetë i interesuar për qëndrimin tonë, në çdo rast kur kritika apo denoncimi lidhet me interesin publik, do ta gjejë atë të shkruar e zeza mbi të bardhë, me përgjegjësi institucionale nga çdo autoritet përkatës i qeverisë.
Nga ana tjetër, as qeveria e asnjë nga ne të 74-ër të mandatuarit e Partisë Socialiste në këtë sallë nuk do përdorë as mikrofonin, as mandatin, as kartonin, për të mbrojtur këdoqoftë këtu apo jashtë kësaj salle, nga akuzat apo gjykimet e organeve të drejtësisë. Cilido qoftë, në çdo nivel të ekzekutivit apo në çdo rresht të kësaj salle apo në drejtimin e qeverisjes vendore që me gjasë mund të vendosen në akuzë nga drejtësia për përgjegjësi që i ka marrë vetë, do duhet të mbrohet vetë, së bashku me avokatin përkatës. Prezumimi i pafajësisë do vlejë vetëm për procesin gjyqësor të individit e jo për të marrë qoftë gjysmë fjalë mbështetje politike nga kjo shumicë qeverisëse, deri në zbardhjen përfundimtare të rastit nga organet e drejtësisë.
Jo vetëm kaq, por qeveria do inkurajojë shumë më tepër se deri më sot, me fuqizimin e mekanizmave të njohur, si për shembull, Platforma e Bashkëqeverisjes, e cila do hyjë në një regjim ligjor të posaçëm apo në mekanizma inovativë nxitës të qytetarëve dhe mediave investigative, luftën frontale kundër korrupsionit në çdo nivel.
Ne e kemi besuar qysh në pikënisje dhe e besojmë edhe më shumë sot, Reformën në Drejtësi, me vetëdijen që rezultatet kuptimplota që të gjithë shqiptarët dhe ne bashkë me ta presim prej saj, nuk vijnë as kollaj, as shpejt. Të ndërtosh nga e para një pushtet të pavarur dhe profesional gjyqësor, në vend të një pushteti të kalbur drejtësie është njësoj si të transplantosh krejt një kolonë vertebrore të kalbëzuar me një të re. Duhet një operacion rrënjësor, posaçërisht i gjatë, tejet i vështirë, këmbëngulje e pashembullt, durim i pashoq, përballë një sfide që duket e pamundur. Prandaj, sa herë që humbasim durimin dhe drita e largët në fund të tunelit, ende të gjatë, të Reformës në Drejtësi, na humbet nga sytë, le të kujtohemi se kur u nisëm, nuk kishte as tunel, por vetëm një terr të plotë, ku çekiçi i gjykatësve të korruptuar në nivele më të larta bënte kërdinë, ndërsa pandëshkueshmëria e më të fortëve të çdo lloji legenoste Shqipërisë.
Sot, toka lëkundet nën këmbët e atyre që deri dje vrisnin e prisnin dhe e shikonin ligjin, shtetin nga lart – poshtë, duke i përdorur prokuroritë si shampo dhe gjykatat si krëhër, për t’i bërë karshillëk me flokët përpjetë dhe kokën edhe më përpjetë se flokët, një populli të tërë.
Organet e reja të drejtësisë u kanë dalë tanimë nga duart edhe politikës, edhe krimit. Partitë po e humbin fuqinë për t’i rezistuar presionit të kohës që kërkon drejtësi. Askush që ka llogari të hapura me ligjin nuk fle më i qetë. Kundërofensiva e forcave dhe individëve me pushtet politik, për të penguar, dëmtuar, ndalur Reformën në Drejtësi, ka konsumuar vërtetë energji jo të vogla shoqërore, duke inskenuar akte publike, operacione mediatike dhe aksione politike të pashembullta në egërsinë e tyre antidemokratike, antikushtetuese, antiqytetare. Frymëzuesit dhe udhëheqësit e asaj kundërofensive janë sot, figurat më të diskredituara politike të Shqipërisë. Kokat e botës së krimit janë prapa hekurave, ose prapa skutave ku vetëm e shtyjnë në kohë, por nuk e ndalin dot ditën e llogarisë përpara gjykatës. Ndërsa burimet e energjisë negative të politikës kundër Reformës në Drejtësi po shkojnë drejt shterimit.
Kjo shumicë do vazhdojë të punojë ngushtësisht me aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe BE, duke e mbështetur pa asnjë rezervë dhe në çdo hap Reformën në Drejtësi. Prandaj, mbështetja jonë për organet e reja të drejtësisë, për trupat e komisioneve të Vetting-ut, për prokurorët dhe gjykatësit e dalë me duart e pastra nga Vetting-u do jetë e palëkundur. Do jemi në gatishmëri të plotë institucionalisht dhe financiarisht për çdo gjë që do nevojitet nga ana jonë këtu në Kuvend për zbatimin e kësaj reforme thelbësore shtetndërtuese, si dhe për motivimin moral dhe profesional të protagonistëve të drejtësisë së re.
Po njësoj, ne besojmë për ditë e më shumë se paralelisht me çlirimin e drejtësisë, modernizimi i shërbimeve për publikun dhe sipërmarrjen, digjitalizimi deri në fund i tyre është leva e Arkimedit që mund ta përmbysë plotësisht sistemin e vjetër të ryshfetit nga trualli i administratës publike. Ndaj ne do mbështetim me të gjitha forcat rritjen e mëtejshme të kapacitetit digjital të këtij vendi, qoftë për të mbyllur ciklin e shërbimeve me dokumente për qytetarët e sipërmarrjen……
Top Channel