Zbulohet strategjia/ Parlamenti i rikthehet normalitetit, opozita nesër debat të ashpër me mazhorancën për programin dhe kabinetin Rama

15/09/2021 19:17

Në prag të seancës parlamentare ku qeveria ‘Rama 3’ pritet të betohet dhe të marrë bekimin e Parlamentit për programin e ri qeverisës, gazetarja e e Top Channel Elda Menga ka zbuluar detaje nga strategjia e demokratëve.

Ashtu si në 2017 opozita nuk do ketë asnjë pyetje për qeverinë e re në mënyrë që të ketë sa më shumë kohë për vete për t’i bërë oponencë programit qeverisës.

Mazhoranca parashikonte që debati të zgjaste 6 orë por në konferencën e kryetarëve përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë kërkuar t’i jepet çdo deputeti 10 minuta kohe për të debatuar.

Shtyllat kryesore të kundërshtisë së opozitës do jenë pandemia, tërmeti dhe zgjedhjet e 25 Prillit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar  demokrat u ndanë detyrat për secilin deputet, ndërsa mësohet se fjalimet e tyre do jenë të fokusuara sipas përkatësisë se tyre në komisionet parlamentare .

Top Channel