Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përmes një shënimi të gjatë në facebook shpjegon se kryedemokrati, Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama kanë një projekt anti-shqiptar për asgjësimin e PD-së.
Sipas tij pjesë e këtij projekti është edhe përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Nishani thekson se në këtë rast teza se SHBA i vuri ultimatum Bashës për largimin e Berishës është spekulative.
Nishani e argumenton këtë duke thënë se SHBA i ka vënë edhe më parë ultimatume Berishës si në rastin e djegies së mandateve dhe për mos bojktotimin e zgjedhjeve lokale, por që Basha nuk i dëgjoi.
Postimi i plotë:
Thikat pas shpine ndaj Partisë Demokratike janë në të vërtetë, thika në zemër për Shqipërinë !
Misioni që i është ngarkuar L. Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti PD e anti demokratik që prej atij të tentuar në 1997 !
PD është një prej institucioneve kryesore të shoqërisë shqiptare, është një mekanizëm i domosdoshëm që sistemi politik të funksionojë normalisht, është mundësia për të patur alternativën e një modeli tjetër qeverisës.
Të kapësh e të mbash peng, përmes metodave gangsterriste, pushtetin dhe proçesin vendimarrës mbi Partinë Demokratike, për ti shërbyer projektit antishqiptar të asgjesimit të alternativës qeverisëse, është po aq kriminale sa korrupsioni, kriminaliteti, shkatërrimi i institucioneve, varfërimi i shqiptarëve, prej qeverisjes.
Asgjesimi i PD është asgjesimi i opozitës sot, është asgjesimi i alternativës së qeverisjes ndryshe nesër, është minimi i demokracisë, është thikë në zemër për Shqipërinë !
Tezat e Edi Ramës se L. Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër, janë teza krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjesimit të PD.
Megjithëse ato ishin vendime e akte që minonin rëndë demokracinë në këtë vend, L. Basha i shpërfilli kërkesat amerikane në ato raste sepse i duhej të plotësonte interesat politike të Edi Ramës që ky të kapte e kontrollonte çdo qelizë e pushtet absolut të sistemit politik në Shqipëri !
Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjesimin e PD është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për ti shërbyer të nesërmes së Shqipërisë !
Top Channel