Një 31-vjeçar është vënë nën prangat e policisë në Lezhë pasi u kap duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm. Gjithashtu, u shpall në kërkim një 18-vjeçar që kishte marrë me qira mjetin me të cilin po transportoheshin emigrantët.
Pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet tip “Volkswagen” po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, forcat policore organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-E. P., 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, si dhe u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit F. D., 18 vjeç, banues në Kukës.
Shtetasi E. P. është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot- Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, të marrë me qira nga shtetasi F. D., 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.
Top Channel