Kongresi “kryqëzon” Blinken: Strategji skandaloze e tërheqjes nga Afganistani!

14/09/2021 12:25

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken u gjend përpara disa pyetjeve të vështira gjatë seancës dëgjimore në Kongres. Shefi i diplomacisë amerikane e  mbrojti me vendosmëri tërheqjen ushtarake amerikane muajin e kaluar nga Afganistani që përfundoi një luftë 20 vjeçare, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Nëse Presidenti amerikan Joe Biden do të kishte vendosur të mbante forca të armatosura në Afganistan, kjo do të kërkonte dërgimin e më shumë trupave amerikane në Afganistan për të mbrojtur veten dhe për të parandaluar një marrje të pushtetit nga talebanët, duke pësuar viktima – dhe në rastin më të mirë rivendosjen e një ngërçi dhe ngecjeje të pafund në Afganistan, nën kërcënimin e sulmeve.

“Nuk ka tregues se qëndrimi më i gjatë do t’i kishte bërë që forcat afgane të sigurisë ose qeveria afgane të ishin më elastike apo të qëndrueshme,” u shpreh ai, ndërsa shtoi se zyrtarët amerikanë nuk e kishin parashikuar rënien e qeverisë afgane aq shpejt. Ligjvënësit republikanë të opozitës dhe disa kolegë demokratë kanë kritikuar strategjinë e presidentit për tërheqjen e trupave, qytetarëve amerikanë dhe mijëra afganëve që punuan për forcat amerikane si përkthyes dhe këshilltarë gjatë luftës.

Kryetari i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmeni Gregory Meeks i Nju Jorkut, tha se “Shkëputja nga Afganistani nuk do të ishte kurrë e lehtë”, por shtoi se “kjo luftë duhet të kishte përfunduar 19 vjet më parë”, pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan me sukses talebanët nga pushteti dhe shkatërruan terrenet e trajnimit për terroristët e Al-Kaedës që sulmuan Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.

Top Channel