Zyrtari gjerman: Tregu i përbashkët rajonal, projekt historik që duhet jetësuar

13/09/2021 10:47

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, Miguel Berger, tha për DW se BE-ja po bën shumë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Ai përmendi Planin e Ekonomisë dhe Investimeve, që kap shuma prej disa miliardë dollarësh dhe ka në fokus, ndër të tjera, transformimin ekologjik dhe digjital dhe konektivitetin. BE-ja është dhe do të mbetet partnerja më e afërt dhe më e besueshme e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ka njëfarë zhgënjimi, por gjatë udhëtimit tim në rajon përjetova edhe një afri dhe një interes të madh për BE-në. Por ne, domethënë BE-ja, duhet ta bëjmë të qartë se e marrim seriozisht rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kjo është arsyeja se përse është kaq e rëndësishme që negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Por sa e hapur është qeveria gjermane për zgjidhje të ndërmjetme për rajonin si krijimi i një Hapësire të përbashkët Ekonomike të lidhur me BE-në.

“Qeveria Federale e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit. Në të njëjtën kohë, ne shohim potencial të madh për rajonin, me anë të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Përparimi në këtë fushë, siç është sidomos zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal deri në vitin 2024, e mbështet rrugën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së”.

Sa për Ballkanin e Hapur, ai u përgjigj se Berlin kërkon forcim të qëndrueshëm të bashkëpunimit midis të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, por shtoi se është e rëndësishme që bashkëpunimi rajonal të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e rajonit.

Top Channel