Tenistja adoleshente Emma Raducanu falenderon prindërit për ‘forcën mendore’ me të cilën fitoi kampionatin US Open (fotot)

13/09/2021 20:34

Tenistja britanike Emma Raducanu tha sot në televizionin amerikan se fitorja e saj sensacionale në US Open erdhi prej prindërve të saj “të ashpër, që nuk kënaqen kurrë”, të cilët e kanë rritur me forcën mendore të fitores.

18-vjeçarja tha se babai i saj Ian me origjinë nga Rumania, dhe nëna Renee Raducanu me origjinë kineze, kanë qenë influencues në aftësitë e saj sportive, ndërsa tani janë ‘shumë të lumtur e shumë krenarë’ për të.

Ata nuk mundën të ishin në New York për të parë rrugëtimin e saj drejt fitores, prej rregullave të ashpra të Covid-19 në SHBA.

Raducanu tha në programin e rrjetit ABC, ‘Good Morning America’: “Mendoj se prej moshës së vogël jam rritur për të pasur forcë mendore. Prindërit e mi kanë luajtur rol të madh te unë. Ata kanë qenë të ashpër kur isha më e vogël, por kjo besoj se më ndihmon tani skenat e mëdha botërore”.

Raducanu mundi kanadezen Leylah Fernandez në finalen e kampionatit US Open, ndërsa i fitoi të gjitha 20 që ka luajtur në kampionat. Ajo u bë femra e parë britanike që fiton një titull madhor që prej vitit 1977.

Rumuni Ian dhe Renee, e cila është kineze, jetonin në Toronto të Kanadasë kur lindi fëmija i tyre i vetëm Raducanu, ndërsa familja u vendos në Britani kur ajo ishte vetëm dy vjeçe.

Ata të dy punojnë në financë dhe jetojnë në Bromley, në juglindje të Londrës ku Raducanu luante tenis me të atin.

Në intervistë Raducanu falenderoi gjithashtu mbretëreshën britanike për mesazhin e urimit të fitores.

E pyetur nëse kishte një mesazh për atletët e rinj, Raducanu tha: “Është besimi i brendshëm, kujdesi çdo ditë për formën më të mirë që të bën të kesh sukses. Unë para dhjetë ndeshjeve luaja raundin e parë të kualifikueseve, dhe as e kisha idenë se do të isha në finalen e US Open apo ta fitoja atë”.

FOTO GALERI
2/8
Raducanu u ftua në programin e rrjetit ABC, ‘Good Morning America’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA