Koreja e Veriut “kërcënon” Amerikën, teston raketën më të fuqishme deri tani

13/09/2021 13:57

Koreja e Veriut testoi me sukses një raketë me rreze të gjatë veprimit, i pari aktivitet testimi prej muajsh të tërë, duke sfiduar Amerikën, negociatat nukleare me të cilën kanë mbetur në vendnumëro.

Raketa cruz, për prodhimin e së cilës u deshën dy vjet, ka aftësinë të godasë shënjestra 1.500 km larg. Peniani e përshkroi atë si “një armë strategjike të një rëndësie të jashtëzakonshme”, ndërsa la të kuptohet qëllimin për t`i pajisur këto raketa me koka me mbushje bërthamore, çka shqetëson SHBA-në, Japoninë e Korenë e Jugut. Raketa duket e ngjashme me Tomahawk-ët amerikanë që janë në gjendje të bartin koka bërthamore me një rreze prej rreth 1,600 kilometrash. Kjo provë konsiderohet si një test për presidentin amerikan, Joe Biden, i cili ka thënë se është i hapur si për diplomacinë ashtu edhe për trysni shtesë ekonomike mbi vendin komunist.

Kjo është prova e parë raketore e Koresë së Veriut që nga marsi, kur ajo testoi teknologji të raketave kruz. Ajo provë u konfirmua vetëm nga zyrtarët amerikanë pasi raportet e para për të u publikuan në The Washington Post. Raketat kruz janë më të vështira për t’u zbuluar sesa raketat balistike të testuara zakonisht nga Koreja e Veriut, pasi ato fluturojnë në një lartësi relativisht të ulët dhe mund të kontrollohen gjatë fluturimit.

Top Channel