Nga EmilyTemple

Ka libra të panumërt që marrin përsipër t’u mësojnë njerëzve si të shkruajnë. Shumë syresh janë të mirë. Disa jo edhe aq të mirë. Siç ndodh me gjithçka. Megjithatë, sa herë që has një libër mbi të shkruarin nga një autor veprën e të cilit e adhuroj emocionohem shumë. Dua të them, është një gjë kur merr këshilla nga një profesor, kritik apo redaktor, por një gjë krejt tjetër t’i dëgjosh ato nga dikush që ka punuar në minierë dhe ka nxjerrë flori – nga njerëz që mund të të mësojnë, por edhe nga ata që e vënë atë në jetë atë që thonë.

Për këtë qëllim, kam përpiluar një listë me 25 udhëzues dhe libra të gjata frymëzues për këtë zanat nga autorë të famshëm, bashkë me disa këshilla nga secili libër. Një amuse-bouche [diçka për të ëmbëlsuar gojën]mund të them. Kini parasysh se kam përjashtuar antologji me ese nga autorë të shumtë, edhe kur një apo më shumë prej tyre (dhe/ose redaktori i librit) janë shkrimtarë të famshëm, si edhe libra që të mësojnë “se si të bësh diçka” nga autorë që njihen kryesisht për kësisoj librash si NatalieGoldberg dhe JohnGardner. Lista sigurisht është në zgjerim e sipër dhe e paplotë (Shoh se DeanKoontz ka botuar një libër se si të shkruajmë bestsellerë, por nuk botohet më!), kështu që mund ta shtoni vetë në fund, si t’ju duket arsyeshme.

Krijimi i subjektit dhe të shkruarit e letërsisë që e mban lexuesin në ankth, PatriciaHighsmith
Për të pasur shtysën e nevojshme, rrjedhën e vazhdueshme që të mbaroni së shkruari një libër, duhet të prisni derisa ta ndieni se rrëfimi brenda jush është pjekur. Kjo gjë ndodh me ngadalë, gjatë periudhës së përgatitjes dhe krijimit të subjektit dhe nuk e nxitoni dot, sepse është një proces emocional, një ndjesi e brendshme përmbushjeje, njëlloj sikur një ditë të vjen t’i thuash vetes, “Kjo është vërtet një histori e madhe dhe mezi po pres që ta rrëfej!” Vetëm atëherë mund të nisni ta shkruani.

Të shkruarit, MargueriteDuras
Personi që shkruan libra duhet të veçohet gjithnjë nga të tjerët dhe të mbyllet në hapësirën e vet. Me këtë kam parasysh një lloj vetmie. Vetminë e autorit, e të shkruarit. Si fillim, njeriu duhet të pyesë veten se çfarë është hapësira që e rrethon – konkretisht në çdo hap që bën në shtëpi, në çdo çast të ditës, në çdo lloj drite, qoftë drita që vjen nga jashtë, apo drita e abazhurëve të ndezur gjatë ditës. Një vetmi e tillë e vërtetë, fizike kthehet në heshtjen e padhunueshme të të shkruarit. Për këtë nuk kam folur me askënd. Në kohën e vetmisë sime të parë, ndërkohë kisha zbuluar se puna që duhet të bëja ishte të shkruarit. Por, këtë ma kishte konfirmuar edhe RaymondQueneau. Mendimi i vetëm që RaymondQueneau më ka dhënë ishte kjo fjali: “Mos bëj gjë tjetër përveç të shkruarit.”

Mbi të shkruarin, Samuel R. Delany
Përgjithësisht, rregullat e një shkrimi të mirë janë një numër gjërash që nuk duhen bërë. Në thelb, shkrimi i mirë ka të bëjë me shmangien e rrëmujës të panevojshme. (Por, kjo nuk do të thotë të shmangësh kompleksitetin.) Shumë prej këtyre rregullave mund t’i programosh në kompjuter. Po t’i zbatosh pak a shumë në çdo draft të parë të shkrimit, këto rregulla të tregojnë se ku je duke rrëshqitur. Po t’i rishikosh me kujdes, do të përmirësohet qartësia, lexueshmëria dhe gjallëria e tekstit.

. . .
Një krijim letrar që ngjason shumë me çdo krijim tjetër letrar, si për sa i takon përmbajtjes apo stilit, subjektit apo qasjes retorike, është në vetvete i keq. Sado paradoksale mund të tingëllojë, një shkrim i mirë që u përmbahet një numri kufizimesh (dua të them, kur të shkruarit është i mirë, por asgjë më shumë) prodhon letërsi shumë të keqe. Vjen një çast kur të kuptuarit e kësaj gjëje më në fund i bën shumicën e shkrimtarëve t’i rrinë larg të shkruarit.

Ndërsa, të shkruarit e talentuar, është diçka tjetër. Duhet të kesh talent për të shkruar letërsi artistike.
Të shkruarit e mirë është i qartë. Të shkruarit e talentuar është energjik.
Shkrimi i mirë i shmang gabimet. Shkrimi i talentuar i bën gjërat të ndodhin në mendjen e shkrimtarit – me gjallëri, me forcë—gjë që nuk e bën dot shkrimi i mirë, i cili mbaron tek qartësia dhe logjika.

Top Channel